Lidhje

Intensifikohet debati për konfirmimin e gjykatësit Gorsich


Senati amerikan pritet të përballet të premten me një debat të ashpër mbi konfirmimin e kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Presidentit Donald Trump, gjykatësit Neil Gorsuch.

Demokratët e opozitës thanë të hënën se ata kanë vota të mjaftueshme për të bllokuar konfirmimin përmes fjalimeve pa pushim, një proces i quajtur “filibuster”.

Demokratët thonë se tani kanë 41 vota kundër konfirmimit të gjykatësit 49 vjeçar Neil Gorsuch. Në bazë të rregullave të tanishme të senatit, kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të konfirmohen me 60 vota. Senati amerikan përbëhet nga 100 senatorë.

Megjithatë, fitorja e demokratëve mund të jetë jetëshkurtër. Republikanët, me një avantazh 52-48 në Senat, thonë tani se do të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme rregullat e votimit për të mundësuar konfirmimin me shumicë të thjeshtë votash (i ashtuquajturi “opsion bërthamor”) të gjykatësit Neil Gorsuch.

Komisioni i Senatit për Drejtësinë, të hënën miratoi kandidaturën e gjykatësit Gursuch, duke i hapur rrugën votimit në senat.

Lufta politike në Senat

Nëse konfirmohet, gjykatësi federal, Neil Gorsuch do të marrë vendin e mbajtur nga gjykatësi Antonin Scalia, i cili vdiq më shumë se një vit më parë.

Votimi në Komisionin e Drejtësisë i hap rrugën një debati të ashpër partiak në senat, ku demokratët pritet të shprehin pakënaqëisitë e tyre ndaj kandidatit të Presidentit Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë.

"Unë nuk mund t'ju premtoj se si do të të vendos në një rast të caktuar", tha në një seancë gjykatësi Gorsuch.

Të paktën tridhjetë demokratë kundërshtojnë kandidaturën e zotit Gorsuch, kualifikimet gjyqësore të të cilit nuk janë vënë në dyshim, por përgjigjet e tij gjatë seancave dëgjimore i kanë thelluar dyshimet e demokratëve për prirjet e tij konservatore.

"Gjyqtari Gorsuch duhet të më bindë se ai nuk do t’i bashkohet kandidatëve të tjerë të propozuar nga republikanët, të cilët kanë interpretuar ligjin në favor të republikanëve dhe kanë marrë vendime që favorizojnë korporatat në kurriz të gjithë të tjerëve. Gjatë seancave dëgjimore, ai shmangu pyetjet, nuk pranoi të përgjigjej dhe dështoi", tha senatori demokrat Sheldon Whitehouse.

Nëse numri i demokratëve që kundërshtojnë gjykatësin Gorsuch arrin në 41, atëherë ata do të mund të bllokonin miratimin e tij përmes fjalimeve pa pushim. Ky skenar mund të shmanget nëse gjykatësi Gorsuch merr 60 nga 100 votat në senat. Republikanët i shohin demokratët si humbës të lënduar.

"Pse po ankohen? Ata humbën zgjedhjet. Ata e dinin se kjo do të ishte një çështje e madhe nëse do të fitonin dhe se republikanët do të votonin kandidatin e tyre të preferuar. Por Presidenti Trump fitoi, dhe ai ka të drejtë të propozojë kandidatin për anëtar të Gjykatës së Lartë", tha senatori republikan Orrin Hatch.

Vitin e kaluar, republikanët refuzuan të shqyrtonin kandidatin e ish-presidentit Barack Obama për të njëjtin post në Gjykatën e Lartë, gjykatësin Merrick Garland. Demokratët argumentojnë se bllokada e republikanëve ndaj gjykatësit Garland ishte shumë më skandaloze sesa bllokimi i mundshëm i gjykatësit Gorsuch.

"Asnjë kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë, përveç gjykatësit Garland, nuk i është mohuar ndonjëherë seanca dëgjimore apo votimi në senat", tha senatori demokrat Tom Carper.

Republikanët mund të ndryshojnë rregullat e senatit për ta bërë të mundur miratimin me shumicë të thjeshtë kandidaturën Gorsuch.

"Ka ardhur koha të tejkalojmë retorikën boshe dhe të merremi me punën serioze të qeverisjes. Konfirmimi i gjykatësit Gorsuch do të përbënte një hap të rëndësishëm në këtë drejtim", tha kryetari i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

Demokratët kanë paralajmëruar kundër ndryshimit të rregullit, të quajtur "opsioni bërthamor." Vetë demokratët, në vitin 2013 kur kontrollonin senatin, ndryshuan rregullat e senatit për emërimet, përveç atyre për anëtar të Gjykatës së Lartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG