Lidhje

Banesa speciale për gjyshet

  • Julie Taboh

Disa shtëpi të posaçme i lejojnë të moshuarit të jetojnë pranë të dashurve të tyre

Me rritjen e popullsisë së moshuar, përherë e më tepër bara për kujdesin e moshës së thyer po bie mbi fëmijët. Shumë prej tyre u drejtohen qëndrave për të moshuarit, ku personave u ofrohet ndihmë në jetën e tyre të përditshme. Por tani, për disa mund të ketë një zgjidhje më të mirë. Në vazhdim ju njohim me një koncept të ri jetese, që u siguron të moshuarve një mjedis më të sigurtë, ndërsa jetojnë pranë të dashurve të tyre.

Në një lagje të qetë periferike, shumë pranë Washingtonit, dy shtëpi gjenden vetëm disa metra larg nga njëra tjetra.
Shtëpia e madhe i përket Soc Page-it dhe familjes së saj. Banesa prapa saj është e nënës së saj, Viola Baez.

Shtëpia e Baez-it është një kabinë mjekësore, një banesë e ndërtuar posaçërisht me nevojat e sigurisë për një person të moshuar.
Për Page-in, kjo ishte zgjidhja ideale e dilemës së saj, se ku do të jetonte e jëma.

“Ajo refuzon në mënyrë absolute të jetojë në qendrat për të moshuarit. Kjo as që diskutohet për të. Dhe shtëpia ime nuk është e sigurtë për të. Pra, kjo është një alternativë: ajo jeton këtu, por ka hapësirën e saj, të krijuar për të, që është e sigurtë dhe nuk është azil. Në fakt ne kujdesemi për të.”

Kabina është e vogël, vetëm 28 metra katrore, por ka ndarje të veçanta për të jetuar dhe një banjo. Ka vend edhe për pajisjet mjekësore të Baez-it…

“Kemi aparatin e matjes së tensionit, atë të oksigjenit, matësin e pulsit, i lidhim të gjitha këto tek nëna dhe të gjithë treguesit shkojnë direkt tek zyra e mjekut.”

Kabina ka edhe cilësi të tjera sigurie. Dritat janë vendosur në dysheme, kështuqë nëna mund të shkojë në banjo natën, pa patur nevojën të ndezi dritat vetë.

“Dyshemeja ka një veshje të butë nën të, që edhe kur bie, është elastike dhe nuk thyen gjë”.

Në banjo ka një dush të rrethuar me parmakë. Page mund ta kontrollojë të jëmën nga shtëpia e saj përmes një video-monitori.

Ken Dupe-in është themeluesi i kompanisë N2Care, që prodhon banesat-kabinë. Ai thotë se e ka motivuar në gjetjen e tij dëshira për t’i ndihmuar familjet të qëndrojnë së bashku.

“Thuajse në çdo kulturë të botës të qëndruarit bashkë të një familjeje është diçka e rëndësishme. Në kulturën ku unë jetoj, ka një rezistencë ndaj kësaj dhe ky është misioni im: ta ndryshoj këtë.”

MEDCottages ndërtohen dhe montohen në Martnsville të Virginias, disa orë larg Washingtonit. Pastaj ato transportohen dhe vendosen në tokën që zotëron personi që e kërkon. Ken Dupin, thotë se çdo shitje që ai bën është kuptimplotë.

“Në se kam një qëllim në jetën time, është që t’i motivoj njerëzit që ta pranojnë përgjegjësinë që kanë ndaj prindërve dhe është për t’u çuditur se kjo shpërblehet.”

Page thotë se për të është diçka e natyrshme ta ketë nënën pranë.

“Ne jemi nga Porto Rico dhe atje kështu është: gjyshja jeton me ju.”

Viola Baez flet një anglishte të kufizuar, por ajo është shumë dakord me këtë.

“Nuk kam asnjë ankesë, madje jam shumë e lumtur,”- thotë ajo.

Dupin ka marrë mbi 3 mijë kërkesa për MEDCottages – nga Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit dhe shpreson që të bëjë të lumtura shumë familje të tjera si ajo Page-t.





XS
SM
MD
LG