Lidhje

Gratë nga Kosova në Uashington


Edhe këtë vit, disa gra të reja nga Kosova, profesioniste në fusha dhe qytete të ndryshme, ishin në Uashington, për të parë se si funksionon Amerika në disa aspekte të saj. Ato patën takime me gra të profesioneve të ndryshme, dëgjuan prej tyre dhe shoqëruan disa anëtarë të Kongresit amerikan në punën e përditshme. Siç njofton kolegu ynë Ilir Ikonomi, dje, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizator i kësaj veprimtarie, u shpërndau 8 pjesmarrëseve diplomat në këtë program që mban emrin kuptimplotë "Shpresa".
Në Kongresin amerikan kjo është një veprimtari që përsëritet shpesh. Të reja nga Kosova mblidhen këtu për të folur mbi atë që mësuan gjatë qëndrimit në Amerikë dhe sidomos për të treguar se çfarë ndryshimi mendojnë të sjellin ato në Kosovë.

Në takim vijnë anëtarë të Kongresit, zyrtarë të departmenteve të ndryshme, përfaqësues të agjencisë amerikane që ndihmon me programe zhvillimi, USID, dhe të ftuar të tjerë.

Meqenëse Kosova është në prag të zgjedhjeve, disa prej atyre që ishin mbrëmë në ceremoninë e dhënies së diplomave folën edhe për këtë temë të rëndësishme.

Akan Ismaili, ambasador i Kosovës, tha: "Ne do të kemi zgjedhje së shpejti në Kosovë dhe tema është zhvillimi ekonomik. Pra, na u deshën 15 vjet për të arritur te çështja kryesore, tek ajo që vërtet ka rëndësi…Prandaj edhe ky program ka rëndësi sepse ai shërben si frymëzim por edhe si një përvojë se çdo të thotë të ndryshosh."

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Jim McDermott, ka qenë në Kosovë dhe ka tashmë përvojë me nevojat me të cilat ajo përballet:

"Nuk janë zgjedhjet që bëjnë demokracinë. Ajo që sjell ndryshimin e vërtetë janë institucionet që ju krijoni pas zgjedhjeve. Çfarë sistemi gjykatash do të keni, çfarë sistemi shërbimesh shoqërore dhe edukimi do të keni, Të gjitha këto janë gjëra që evoluojnë dhe ndryshojnë vazhdimisht. Dhe kjo ju jep juve një rast. Ju mund të dalloni diçka që ju duket me vlerë dhe me interes, ta shtyni përpara dhe kështu të keni një ndikim të vërtetë në shoqëri," tha zoti McDermott.

Disa prej grave që folën, ishin mjaft konkrete në ato që dëshironin të arrinin kur të ktheheshin në Kosovë.

Teuta Danuza, Drejtoreshë në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve, tha se i kanë përshtypje ndjenjat e afërsisë që kanë amerikanët ndaj Kosovës.

Majlinda Aliu, gazetare e RadioTelevizionit të Kosovës, ka vizituar disa media të rëndësishme amerikane si CNN dhe Radion Publike Kombëtare, NPR, ku i ka bërë përshtypje profesionalizmi i lartë.

Iliriana Kaçaniku e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Kosovë, ka qenë pjesëmarrëse e këtij programi në të kaluarën dhe thotë se cilido që ka dëshirën e mirë për të sjellë ndryshime, mund ta bëjë këtë.

Kosova ende ka mjaft probleme, por anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, i cili i ndjek prej shumë vitesh zhvillimet e shtetit të ri, është optimist:

"Ndihem shumë mirë sepse e di që gjërat në Kosovë do të përmirësohen gjithnjë e më shumë dhe do të bëhet më mirë. Ju premtoj se miqtë që ju keni këtu në SHBA do të mbeten gjithmonë pranë jush," tha zoti Engel.

Ne, tha zoti Engel, duam të jemi partnerë dhe të ndihmojmë në demokracinë që po ndërtohet në Kosovë.
XS
SM
MD
LG