Lidhje

Gratë - pjesmarrëse aktive në Pranverën Arabe


Për më shumë se 100 vjet, gratë anembanë botës kanë festuar ditën Ndërkombëtare të Grave. Në vitin 1977, Kombet e Bashkuara e shpallën 8 marsin ditën ndërkombëtare të gruas, si një reflektim për të drejtat e grave anembanë botës. Por si përjetohet kjo datë nga ato gra që luajtën një rol të rëndësishëm në Pranverën Arabe e cila solli ndryshime të regjimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut…?

Shumë gra kanë qenë mes protestuesve të vijës së parë në lëvizjet kundër qeverive në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ato ndihmuan në rrëzimin e udhëheqësve që drejtonin prej shumë vitesh në Tunizi, Egjipt dhe Libi. Karen Sherman është drejtoresha ekzekutive e programit botëror Gratë për Gratë:
“Ato kanë luajtur një rol katalizues në organizimin e protestave, transportimin e armëve, dhënien e informacionit për rrjetet mediatike, kujdesin për të sëmurët dhe njerëzit që u plagosën nga protestat”.

Sara Galal, nga Egjipti, ishte pjesëmarëse në protesta. Sot ajo po merr pjesë në Programin për Nismën e Grave në qendrën presidenciale George W. Bush në Dallas:
“Ishte një gjë e mrekullueshme të shihje gra nëpër rrugë që protestonin, këndonin e udhëhiqnin protestat.”

Samar Elhusseiny po merr pjesë në të njëjtin program. Ajo thotë se pakënaqësia ka mbetur, pavarësisht ndryshimeve në Egjipt:
“Përpara revolucionit, ne luftonim kundër regjimit të Mubarakut dhe mendonim se me rrëzimin e tij çdo gjë do të ishte në rregull. Por mbas revolucionit, mund të them se jam e zhgënjyer”.

Analistja politike në Egjipt Rania al Malki ndan të njëjtin mendim:
“Mendoj se është më e lehtë të rrëzosh një diktator se të ndryshosh natyrën patriakale të shoqërisë, e cila do shumë kohë që të ndodhë”.

Gratë në Jemen morën pjesë gjithashtu në protestat e atjeshme. Ashwak el Rabbie thotë se ka ende shumë punë për t’u bërë:
“Gratë në Jemen duhet të luftojnë prë të drejtat e tyre. Ato nuk do t’i fitojnë lehtë këto të drejta."

Por Zaafaran Ali, një shkrimtar dhe mbështetës i ish presidentit Ali Abdullah Salehit, thotë se ndërsa shumë nejrëz nuk e pëlqejnë zotin Salehi, ai ka mbrojtur të drejtat e grave:
“Ai krijoi një kulturë e cila lejonte një grua të ecte vetëm, të siguronte arsimimin e saj, të martohej e të kishte fëmijë, kishte të drejtën të punonte dhe të kishte një jetë të sajën”.

Karen Sherman me organizatën Gratë për Gratë thekson se të ardhurat ekonomike jan të rëndësishme për të arritur barazinë:
“Situata financiare bën ndryshimin e madh dhe përcakton se si një grua perceptohet në familje e në shoqëri, ndaj mendoj se pjesmarrja ekonomike është e barabartë e ndoshta më e rëndësishme se pjesmarrja politike”.

Pavarësisht kësaj, shumë gra që kanë marrë pjesë në Pranverën Arabe thonë se janë gati për t’u përballur me sfidat për të qenë pjesë e tranzicionit politik të vendeve të tyre.

XS
SM
MD
LG