Lidhje

Gratë dhe rekrutimi ushtarak


Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur rekrutim ushtarak që nga viti 1973, por të gjithë meshkujt e moshës 18 deri 25 vjeç duhet të regjistrohen në Sistemin e Shërbimit Selektiv, agjencia që merret me rekrutimin në raste urgjente. Së shpejti, edhe femrave mund t’u kërkohet të regjistrohen në ushtri. Komandantë të lartë të këmbësorisë dhe marinës raportuan kohët e fundit në Senat, ku thanë se edhe femrat duhen të regjistrohen në ushtri. Kongresit i është dërguar një projektligj, i cili kërkon që gratë, të cilat plotësojnë kushtet, të regjistrohen për t’u rekrutuar në ushtri. Kjo çështje ka shkaktuar mosmarrëveshje:

Më tepër se 200 mijë gra janë aktualisht në shërbim aktiv ushtarak. Vitin e kaluar Sekretari amerikan i Mbrojtjes

Ash Carter njoftoi se gratë tani mund të shërbejnë në të gjitha rolet luftarake.

Që nga viti 2001, rreth 150 gra janë vrarë në krye të detyrës në konflikte, kryesisht nga pajisje shpërthyese, ose nga rrëzimi i avionit.

Tani, komandantë të lartë ushtarakë janë duke i bërë thirrje të gjitha grave të moshës 18 deri 25 vjeçare të regjistohen për t’u rekrutuar në ushtri.

Ruth ben-Ghiat jep mësim lëndën e historisë së ushtrisë në Universitetin e Nju Jorkut.

“Projekti reflekton pjesërisht se ku po shkojmë ne si shoqëri përmes një integrimi të plotë në aspektin gjinor të forcave të armatosura. Unë po ashtu mendoj se kjo është pjesë e ngushtimit të hendekut mes ushtarakëve dhe civilëve. Kështu, në se gratë duan të drejta të barabarta, tani do t’i kemi ato.”

Por së pari, projektligji duhet të miratohet nga Kongresi. Shumica e kandidatëve politikë të këtij viti thonë se nuk janë kundër tij, me përjashtim të kandidatit republikan Ted Cruz:

“Ideja se qeveria federale do t’i rekrutonte me forcë vajzat tona dhe do t’u jepte role luftarake, si psh në pozicione zjarri, për të luftuar me xhihadistët, kjo nuk është diçka normale.” tha zoti Kruz.

Edhe gratë e reja aktiviste janë bërë pjesë e nismës për t’u rekrutuar në ushtri. Studentja Elizabeth Kyle-LaBell në vitin 2013 ngriti padi për diskriminim ndaj Sistemit të Shërbimit Selektiv.

“Në se është e pamoralshme që gratë të luftojnë si burrat, atëhere nuk duhet të luftojnë as burrat, pra nuk duhet të kemi ushtri. Gratë janë të afta të bëjnë gjithshka që mund të bëjnë burrat.”

Kjo është qendra e famshme e rekrutimit në Shtetet e Bashkuara, në Times Square të Nju Jorkut. Shumica e vullnetarëve vijnë këtu pa caktuar më parë takim, shumë prej tyre gra. Këto të tra vajza do të fillojnë së shpejti shërbimin:

“Gra të tjera janë përpjekur më parë për të arritur këtu ku jemi, që që ne të kemi mundësinë të shkojmë në ushtri; në se do të rekrutohemi, do të jemi gati për t’u bërë pjesë e forcave të armatosura, për të mbrojtur vendin tonë.” thotë Emily.

“Mendoj se është një ide e shkëlqyer”, - shton Nicole. “Gratë kanë të njëjtin kapacitet mendor dhe fizik si edhe burrat, për të luftuar për vendin tonë.”

Por…​
“Unë kam një mendim tjetër: burrat dhe gratë duhet të kenë mundësi të njëjta, por shërbimi ushtarak nuk duhet t’u kërkohet grave me detyrim”, thotë Danielle.

Mbetet që të bëhen anketa lidhur me reagimin që do të kenë gratë e rekrutuara në ushtri. NOW, Organizata Kombëtare e Grave, që në vitin 1980 ishte kundër një projekligji për këtë çështje, tani i tha Zërit të Amerikës se në se do të ketë një rekrutim të organizuar, ajo mbështet përfshirjen e grave mbi të njëjtat baza si edhe burrat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG