Lidhje

Një milion gra në diskutimin "Gratë po Bisedojnë"


Si mund të grumbullosh një milion gra nga 34 vende të botës në një dhomë të vetme? Është diçka e lehtë nëse zhvillohet një takim virtual nëpërmjet Skype-it, Twitter-it dhe Facebook-ut. Ky diskutim global, i pari i zhvilluar ndonjëherë, përfshiu tema si punësimi, arsimi, marrëdhëniet dypalëshe dhe familja. Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës sjell hollësi rreth mënyrave se si u zhvillua ky dikutim.

Një grua në një dhomë. Ajo flet me mijëra të tjera, ndoshta një milion gra në një bisedë virtuale globale.

Diskutimi titullohet "Gratë po Bisedojnë" një ngjarje dy orëshe në Twitter, Skype, Facebook dhe video konferenca. Tema të tjera të bisedës: kapërcimi i pengesave në vendin e punës, krijimi i lidhjeve dhe përparësitë.

Mediat sociale i lidhën këto gra në Uashington dhe në 5 qytete të tjera amerikane me këdo që donte të merrte pjesë në bisedë. Ato ishin nga 34 vende të ndryshme të botës.

Megjithëse të gjithë zërat ishin femra, disa prej tyre thanë se vlerësojnë këshillat e meshkujve. Hazami Barmada administron organizatën Nisma për Fuqizimin e Arabëve.

"Në qoftë se nuk përfshijmë një segment më të madh të shoqërisë, do të jetë shumë e vështirë të zhvillohet një diskutim rreth fuqizimit të grave pa përfshirë në to edhe burrat, që cilët mund të hapin dyert e mundësive. Si njeri që vij nga bota arabe, prania e burrave si këshilltarë ka qenë për mua aspekti më i fuqishëm, që mund të përjetoj sepse burrat më kanë mbështetur".

Kjo ngjarje filloi në një shkallë më të vogël para 5 vjetësh, si një bisedë mes grave që mblidheshin për të pirë çaj. Por nuk kaloi shumë para se teknologjia të luante rolin e vet dhe biseda mori përmasa globale.

Ky diskutim pasqyron kohën në të cilën jetojmë, thotë Sonia Aranza me origjinë nga Filipinet.

"Nëna ime është 88 vjeç dhe nuk mendoj që në kohën e saj të zhvillohej një bisedë e tillë matanë fshatit dhe komunitetit të saj. Kjo bisedë me njerëz nga qytete dhe vende të ndryshme është diçka e mrekullueshme".

Bonnie McDaniel e krijoi këtë nismë.

"Ne jemi pjesë e një bote dhe kemi nevojë të krijojmë lidhje, të gjejmë mënyra për të dhënë kontributin tonë si gra për ta bërë botën më të mirë".

Zonja McDaniel shpreson të realizojë një ndryshim. Ajo dëshiron t’i bashkojë së shpejti përsëri këto gra, duke organizuar diskutimin "Gratë po Bisedojnë" më shumë se një herë në vit.
XS
SM
MD
LG