Lidhje

Gratë imigrante, pre e ngacmimeve seksuale


Gratë imigrante, pre e ngacmimeve seksuale
Gratë imigrante, pre e ngacmimeve seksuale

Që nga ditët e para kur u vendosën atje kolonizatorët holandezë, Nju Jorku ka qenë ndalesa e parë për shumë imigrantë që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe gjatë viteteve të fundit, përfshihen edhe imigrantë nga Afrika. Më tepër se gjysëm milioni imigrantë afrikanë kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara që në vitin 1980 dhe shumë prej tyre janë vendosur në Nju Jork, ashtu sikurse grupe të tjera imigrantësh para tyre. Por së bashku me to kanë lindur edhe një sërë probleme sociale serioze, sidomos për gratë e reja nga Afrika Perëndimore që punojnë në qytet.

Një nga enklavat kryesore të imigrantëve nga Afrika Perëndimore është në lagjen Bronx të Nju Jorkut. Ata janë njerëz shumë punëtorë, fetarë, të cilët mbajnë financiarisht veten dhe familjet e tyre në këtë mjedis të ri për ta. Shumë gra punojnë si dado, ose si pastruese nëpër shtëpi, apo hotele, disa prej tyre ndjekin shkollën. Shumë prej këtyre imigranteve afrikane punojnë me frikë, si kjo grua e qutajtur Fatu. Ajë punon si pastruese:

"Kam frikë të flas me njerëzit, nuk dua të humb punën."

Fatu thotë se djali i një klienti u përpoq ta përdhunonte dhe kjo nuk është hera e pare që ndodh diçka e tillë. Ishte një rast i ngjashëm me atë të ish-shefit të FMN-së Dominik Shtraus Kahn, i cili u akuza se sulmoi seksualisht pastruesen hotelit dhe tani është në pritje të gjyqit.

Dorçën Lajdhold është drejtoreshë e një grupi të quajtur “Sanctuary for Families”. Ajo thotë se organizata e saj përpiqet t’u vijë në ndihmë grave imigrante.

"Gratë imigrante, sidomos ato të reja në moshë, janë tepër të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksueale në vendin e punës. 80 për qind e klienteve tona janë imigrante. Shumica e tyre vijnë nga Amerika Latine, nga Azia, apo Afrika, si Fatu. Dëgjojmë histori të tmerrshme që ato i përjetojnë gjatë përpjekjeve për të gjetur punë".

Aleanca Kombëtare e Punonjëseve Shtëpiake bën thirrje për një ligj ndërkombëtar që të ndalojë kërcënimet në vendin e punës. Aj Xhen Pu thotë se pastrueset nëpër shtëpi dhe hotele ndeshen me të njëjtat probleme.

“Ne i referohemi punës së pastruesve, duke e krahasuar me “perëndimin e egër”, sepse gjithshka mund të ndodhë me këto punëtore. Në këtë zanat ka shumë pak rregulla, shumë pak mbrojtje dhe shumë pak standarte. Gjithshka lidhet me punonjësit individualë, të cilët shpesh janë tepër të izoluar për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe kanë shumë pak fuqi për ta bërë një gjë të tillë."

Kur ishte studente në kolegjin Xhon Xhei (John Jay) në Manhaten, Mari Tori nga Guinea i thanë se disa profesorë mund t’i vinin nota më më mira, në se pranonte të kishte marrëdhënie seksuale me ta.

"Ishte një situatë e frikshme. Më duhej ta kisha të lartë mesataren. Pra është e frikshme të detyrohesh të kesh marrëdhënie seksuale me profesorin. Sepse ai është në shkollë për të mësuar, pra mendohet që ai të të mbrojë. Por, në se ai të detyron të vihesh në një situatë kur ke frikë prej tij, ndodhesh në një gjendje kur nuk di ç’të bësh".

Këshilltarja Miriama Diallo, po ashtu nga Afrika e Veriut, thotë se ndikimet psikologjike dhe rreziqet në vendin e punës, apo në shkollë janë reale.

"Gratë ndajnë me ne eksperiencën e tyre, kjo ka një ndikim të jashtëzakonshëm psikologjik tek to. Kur vijnë në seancat që organizoj, mëson se ato shohin ëndërra të frikshme, vuajnë nga pagjumësia dhe e tregojnë me lot historinë e tyre."

Komisionerja për imigracionin e qytetit të Nju Jorkut, Fatima Shama, thotë se qyteti dhe shteti i Nju Jorkut përpiqet të komunikojë me këto gra dhe t’i sigurojë ato se mund t’i ndihmojnë, qofshin me dokumente të ligjshme, apo të paligjshme.

"Ne e kuptojmë frikën dhe fatkeqësisht se ç’po ndodh në komunitetet tona. Kjo është arsyeja përse, një bisedë si kjo e sotmja na lejon të përsërisim dhe t’u bëjmë të njohur këtyre grave se ka agjenci dhe njerëz që interesohen t’i mbrojnë ato, qofshin ato agjenci të imigracionit, apo persona që duan të mbrojnë njerëzit që nuk kanë mbrojtje ligjore, ose që janë shndërruar në viktima."

Sipas Qendrës së Shërbimeve Ligjore për Gratë e Viktimizuara, fakti që gruaja në rastin e ish-shefit të FMN-së Dominik Shtraus Kahn guxoi të flasë dhe e raportoi atë në polici, mund të shërbejë si një pike kthese psikologjike për gratë imigrante, qofshin ato punonjëse, apo studente.



XS
SM
MD
LG