Lidhje

Banka Botërore, studim mbi gratë në biznes


Studimi i Bankës Botërore rekomandon që qeveritë të rritin të drejtat ekonomike të gruas përmes ligjeve të reja.

“Gratë, Biznesi dhe Ligji” studimi më i fundit i Bankës Botërore në shkallë globale, propozon heqjen e pengesa për barazina gjinore. Studimi zbuloi se kudo në botë po shtohen lidhjet midis të drejtave të grave dhe shanseve të tyre ekonomike, një temë që sipas studiuesve meriton vitin e ardhshëm një vëmendje më të madhe. Në Shqipëri gratë dhe vajzat zënë mbi 56 për qind të popullatës, ose mbi 1,5 milionë banorë. Përfaqësuesja e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, Aurela Bozo, thotë se Shqipëria ka hedhur hapa shumë të mirë me miratimin e ligjeve bashkëkohore për forcimin e pozitës së gruas në shoqëri, si ligji për mosdiskriminim, ligji kundër dhunës në familje dhe ligji për barazinë gjinore, por ato ende nuk zbatohen sa duhet sepse jo të gjithë aktorët shtetërorë veprojnë njëlloj, dhe jo gjithcka mund t'i kërkohet vetëm policisë.

Gratë biznesmene drejtojnë mbi 18 për qind të bizneseve të regjistruara në Shqipëri, shumica janë nga biznesi i vogël, pak i mesëm dhe akoma më pak i lartë. Shoqata e grave profesioniste, afariste e zejtare, mbledh një numër të madh antaresh nga bizneset e vogal. Drejtuesja e saj, Flutura Xhabija, thotë se ka munguar partneriteti i shtetit. Bizneset femërore nuk janë një kolonë më vete në strategjitë ekonomike, por ato duhet të jenë një kolonë më vete në tabekat ekonomike dhe të favorizohen me fonde, sepse gratë drejtojnë më mirë, kanë projekt biznesi më të sakta dhe administrojnë fondet më mirë.

Fabrikat e prodhimit të veshjeve zënë një vend kryesor në ekonominë e vendit dhe në punësimin e grave, por mbi 90 për qind e tyre janë themeluar dhe drejtohen nga zonja. Prania e tyre në drejtim biznesi edhe në sektorë të tjerë po rritet gradualisht. Dy vitet e fundit është rritur numri i grave me nisma biznesesh të reja. Edhe pse kohë krize, ato që kanë ide dhe guximin për të hapur biznese të reja janë pikërisht gratë shqiptare.

Lindita Legisi, drejtuese e shoqatës së firmave të fasonerisë, thotë se gratë biznesmene janë shumë të përqëndruara të bëjnë mirë punën e tyre dhe nuk merren me jetë mediatike apo politike, nuk merren me reklama apo me tribuna. Gratë biznesmene lobojnë por nuk marrin pjesë në politikë, sepse qëllimi i tyre kryesor është mbarëvajtja e biznesit. Gratë biznesmene mendojnë se pjesëmarrja e tyre në politikë është zgjedhje individuale, kush ka dashur ka marrë pjesë, ndërsa të tjerat mbeten të përkushtuara që të bëjnë mirë profesionet e tyre dhe administrimin e firmave.

Studimi i Bankës Botërore rekomandon që qeveritë të rritin të drejtat ekonomike të gruas përmes ligjeve të reja. U konstatua gjithashtu se shumë shtete po e heqin nga ligjet e veta të drejtën e burrit që t'i japë leje gruas për punësim, ose që ai të vendosë nëse gruaja duhet të rrijë në shtëpi, apo të shkojë në punë. Banka Botërore mendon se gjatë reformave ekonomike shtetet duhet të mbajnë parasysh të drejtën e grave për biznes, sepse kjo ndikon mjaft në fushën e drejtësisë dhe barazisë, por edhe në zhvillimin e vendit, sepse gratë janë shumë më efektive në punë.

XS
SM
MD
LG