Lidhje

Gratë në ndërtim

  • June Soh

Gratë në ndërtim

Gratë në ndërtim

Gratë kanë përparuar në karriera që dikur dominoheshin nga burrat, që nga drejtësia, tek mjekësia e deri tek fushat që kërkojnë përgatitje të mirë fizike, si ajo e policisë, apo ushtrisë. Por puna në ndërtim vazhdon të konsiderohet si “punë burrash”. Tani, një organizatë jo-fitimprurëse në zonën e Washingtonit, i përgatit gratë në fushën e ndërtimit, në përpjekje për të krijuar tek ato më tepër besim në vetevete, si dhe profesione që paguhen më shumë.

Jackeline Aguilera është stiliste në një floktore. Por ajo në vend të gërshërëve, këtë të shtunë po përdor kaçavidën. Ajo po mëson të montojë një derë në një klasë. "Në fillim, ishte e vështirë. Studjuam ndoshta për 1 ditë. E rregulluam derën gati për montim. Të shtunën e ardhshme kemi një prove për të parë se si montohet dera".

Ajo po ndjek një kurs trajnimi për ndërtuese, bashkë me disa gra të tjera.

Si stiliste flokësh, unë nuk fitoj shumë para, fitoj sa për të jetuar, për të paguar faturat bazë, si qiraja, apo ushqimet.

Merecedes Rodrigues, imigrante nga Peruja, punon si pastruese. Me anglishten e saj të kufizuar, Rodrigues shpjegon përse ajo kërkon të ketë aftësitë për të bërë një punë burrash, siç thotë ajo. "Sepse dua të fitoj më tepër para. Tani kam një biznes të vogël pastrimi për shtëpitë dhe zyrat".

Casa de Maryland, një organizatë jo-fitimprurëse që operon trajnim për zanate të ndryshme dhe programe punësimi në zonën e Washingtonit, është sponsorizuesja e kursit të kualifikimit. Tona Cravioto është menaxherja e këtij programi.

Synimi i këtij trajnimi është t’i përgatisë gratë të kenë mundësi të punojnë në zanate të paguara mire në ndërtim. Statistikat tona tregojnë se ka një ndryshim të madh mes punëve tradicionale për grate dhe punës në ndërtim. Për shembull, mund të gjesh punë si pastruese me 8 dollarë në orë, ndërkohë që puna në ndërtim pagohet minimumi 13 dollarë në orë.

Gjatë kursit 9-javor, pjesëmarrësit mësojnë bazat e zanatit të elektriçistit, marangozit, hidraulikut, shtrimin me pllaka, me parket dhe vendosjen e kartonxhezit. Janaina Rocha, që ka punuar në ndërtim për 10 vjet, është instruktore në kurs.

"Unë kam dëgjuar se çfarë u pëlqen të bëjnë grate, dikur vetë kisha një lloj ndrojtjeje kur mësoja burrat, por tani e di se çfarë bëj, I kam të gjitha veglat dhe nuk kam më ndrojtje, u mësoj kursantëve ato që bëj unë".

Fushata për Sigurinë Ekonomike të Grave, një grup që përkrah grate me të ardhura të pakta, thekson në një raport të kohëve të fundit, se 99 për qind e ndreqësve të çative janë burra, që fitojnë mesatarisht 16 dollarë në orë, ndërsa 98 për qind e mësuesese të arsimit parashkollor janë gra dhe ato fitojnë mesatarisht 11 dollarë e 48 centë në orë. Raporti sugjeron se që grate të përmirësojnë gjendjen e tyre ekonomike, ato duhet të fillojnë në kërkojnë punë në ndërtim. "Ne mendojmë gjithashtu se në ndërtim mund ta ndërtosh karrierën. Mund të fillosh në nivel fillestar dhe pastaj të perfeksionohesh. Në se ke eksperiencën dhe përgatitjen e duhur në një zanat, mund të fitosh deri në 25 dollarë në orë".

Casa de Maryland këmbngul se grate që marrin pjesë në programet e trajnimit janë dakord të fillojnë punë, të cilat dikur nuk kanë guxuar t’i bëjnë, sepse i kanë konsideruar si punë burrash. "Ne ndjekim një praktikë tepër transparente, jemi neutralë përsa i përket gjinisë. Nuk ka punë vetëm për burra, ose për gra. Politika jonë është, se në se ka punë në ndërtim, apo në kopshtari, dhe një grua di ta bëjë, zgjedhim sipas radhës, pa asnjë lloj diferencimi".

Pjesëmarrëset në trajnim thonë se nuk druhen të bëjnë punë burrash. Dhe ato kanë besimin se trajnimi që marrin do t’i ndihmojë të ndërtojnë një bazë më të mirë ekonomike për jetën e tyre.

XS
SM
MD
LG