Lidhje

Obama: 50 vjet pas Marshimit, beteja për barazi racore vazhdon

  • Dan Robinson

Në fjalimin me rastin e 50 vjetorit të Marshimit në Uashington, Presidenti nderon kujtimin e pjesëmarrësve dhe trashëgiminë e Martin Luther Kingut

Në fjalimin para qindra mijëra vetëve të mbledhur për 50 vjetorin e Marshimit në Uashington, Presidenti Barak Obama foli dje për një mision të papërfunduar në luftën për barazi dhe drejtësi në Amerikë.

Pesëdhjetë vjet më parë, i Përndershmi Martin Luther King mbajti fjalimin “Unë kam një Endërr” në një periudhë pabarazie dhe padrejtësie të thellë në Amerikë, Presidenti i parë afrikano-amerikan qëndroi në të njëjtin vend tek shkallët e Përmendores së Linkolnit.

Në 1963, fjalimi i zotit King mobilizoi lëvizjen për të drejta civile dhe hapi rrugën për ligje të rëndësishme, përfshirë Ligjin për të Drejta Civile të vitit 1964, që nxori jashtë ligji çdo formë diskriminimi ndaj pakicave dhe grave.

Zoti Obama nderoi kujtimin e udhëheqësit të të drejtave civile dhe sakrificat e atyre që marshuan në Uashington për të transformuar Amerikën.

“Falë marshimit të tyre, u miratua një ligj për të drejtat civile. Falë marshimit të tyre, u miratua një ligj për të drejtën e votës. Falë marshimit të tyre, portat e mundësive dhe arsimit u hapën në mënyrë që djemtë e vajzat tona të mund të imagjinonin një jetë më të mirë se thjesht si larës rrobash apo lustrues këpucësh për dikë tjetër. Falë marshimit të tyre, këshillat bashkiakë ndryshuan, organet legjislative të shteteve ndryshuan dhe Kongresi ndryshoi, madje edhe Shtëpia e Bardhë ndryshoi”.

Zoti Obama tha se ata që marshuan në vitin 1963 sollën ndryshime jo vetëm për afrikano-amerikanët, po edhe grupe të tjera racore dhe etnike, gratë dhe homoseksualët dhe për të gjithë ata që dëshironin lirinë kudo në botë.

Fjalimi i zotit Obama shënoi një ndër rastet e rralla që nga zgjedhja e tij në vitin 2008, që ai flet në arenën kombëtare për çështjen e racës.

Përvjetori i marshimit shënohet ndërkohë që janë ngritur shqetësime për hapa prapa në të drejtat civile. Një ndër këto shqetësime rezulton nga vendimi i Gjykatës së Lartë për të eliminuar një dispozitë të rëndësishme nga Ligji i vitit 1965 për të Drejtën e Votës.

Zoti Obama tha se ata që shprehen se Amerika ka ndryshuar shumë pak, njollosin sakrificën e atyre që marshuan në vitin 1963. Por ai shtoi se misioni nuk është përmbushur. Ai vuri në dukje se sfidat ndaj të drejtës së votës, ritmet e larta të papunësisë ndër afrikano-amerikanët dhe latino-amerikanët dhe probleme të tjera kërkojnë vëmendje të veçantë.

"Për të garantuar fitoret që ka shënuar ky vend kërkohet vigjilencë e vazhdueshme, jo vetkënaqësi, qoftë duke sfiduar ata që ngrenë pengesa të reja ndaj të drejtës së votës, ose duke garantuar se peshorja e drejtësisë funksionon njëlloj për të gjithë dhe që sistemi penal nuk është thjesht një hap i ndërmjetëm mes shkollave të pasuksesshme dhe burgjeve të mbingarkuara. Duhet vigjilencë”.

Zoti Obama foli për hendekun që po thellohet në të ardhurat mes racave dhe për zhdukjen e vendeve të punës për amerikanët e klasës punëtore, gjë që po e bën ëndrrën e zotit King më të paarritshme.

Një listë e gjatë figurash morën fjalën, përfshirë fëmijët e zotit King, yje të Hollivudit dhe televizionit.

Ish-Presidenti Bill Klinton foli për atmosferën e acaruar politike në vend:

"Ne nuk kërcënohemi më me rrahje, linçime apo vrasje për bindjet tona politike. Unë mendoj se Martin Luther Kingu nuk jetoi e vdiq për të lënë pas trashëgimtarët e tij të mbërthyer në një ngërç politik. Ka ardhur koha të ndalim ankesat dhe t’u vëmë shpatullat portave që pengojnë përparimin e popullit amerikan”.

Bernice King, një ndër fëmijët e Martin Luther Kingut, foli për mesazhin e të atit duke thënë se megjithë përparimin e madh, mbetet shumë punë për të bërë.

"Sot, 50 vjet më pas, miqtë e mi ne jemi ende peng i praktikave dhe politikave të lindura nga krenaria, urrejtja apo armiqësia racore, disa prej të cilave na bëjmë të ngulim këmbë në atë që na ndan në vend që të gjejmë çfarë na bashkon”.

Në manifestimin e vitit 1963, i përndershmi Martin Luther King mbajti fjalimin e tij të famshëm mbi harmoninë dhe drejtësinë raciale, që është cilësuar nga historianët si një nga fjalimet më të famshme që është mbajtur ndonjëherë.

Manifestimi i vitit 1963, i njohur si “Marshimi në Washington për vende pune dhe liri” u mbajt në kulmin e lëvizjes për të drejta civile në Shtetet e Bashkuara, e cila synonte të siguronte të drejta të barabarta, të mbrojtura me ligj, për të gjithë njerëzit.

Lëvizja e të drejtave të njeriut e viteve ’60 për t’i dhënë fund praktikës së segregacionit, që i trajtonte me ligj ndryshe amerikanët e të bardhë nga ata zezakë, u përball në atë kohë me një rezistencë të fuqishme dhe nganjëherë të dhunshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG