Lidhje

Konsullata shqiptare në Greqi regjistron fëmijët e shqiptarëve pa dokumente

  • Raimond Kola

Autoritetet konsullore shqiptare në Athinë kanë filluar regjistrimet e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, pavarësisht se prindërit e tyre nuk janë të ligjshëm.

Sipas autoriteteve, mjafton një vërtetim lindjeje (nga spitali) dhe fëmija regjistrohet në Ambasadën shqiptare në Athinë. Një numër i konsiderueshëm familjesh shqiptare nuk kanë arritur t`i regjistrojnë fëmijët në regjistrat e gjendjes civile në Shqipëri.

Sipas vlerësimeve të Institutit grek të Statiskave ELSTAT në Greqi lindin mesatarisht nga gratë shqiptare rreth 10 mijë fëmijë në vit.

Ndërkohë, sipas statistikave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Popullsisë të Ministrisë së Brendshme greke, publikuara pak kohë më parë, në Greqi jetojnë 397.000 emigrantë nga Shqipëria, të cilët kanë marrë statusin e ligjshëm të qëndrimit. Sipas vlerësimeve asnjë nga dy vëndet deri në vitin 2004 nuk ishte interesuar të bënte të paktën regjistrimin e fëmijëve shqiptarë të lindur në këtë vend.

Regjistrimi i fëmijëve të huaj në Greqi filloi pas vitit 2004, ku vetëm një pjesë e tyre regjistroheshin në regjistrin themeltar të bashkive, ndërsa një pjesë tjetër mbetej pa regjistruar, për shkak të problemeve që kishin prindërit me statusin e tyre të qëndrimit.

Sipas të dhënave të CENSUSIT në Shqipëri të vitit 2011, emigracioni shqiptar në vendet europiane dhe më gjerë llogaritet në rreth 1 milionë. Instituti shqiptar i Statistikave vlereson se Greqia dhe Italia mbajnë deri tani pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit (80%). Ndërkaq, sipas të dhënave nga Regjistrit Civil në Shqipëri vlerësohet se 275.000 fëmijë shqiptarë kanë lindur jashte vendit pas viteve nëntëdhjetë, kohë kur nisi emigrimi masiv i shqiptarëve, pas hapjes së Shqipërisë nga izolimi diktaturës komuniste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG