Lidhje

Deklaratat e Tsipras rrisin tensionet


Presidenti i Eurogrupit tha sot se koha nuk pret për arritjen e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe kreditorëve të saj, por ajo është ende e mundur. Tensionet janë rritur më tej pas komenteve që bëri në parlament Kryeministri grek Aleksis Tsipras, i cili sulmoi kreditorët, duke thënë se ata po përpiqen të poshtërojnë Greqinë.

Presidenti i Eurogroupit Jeroen Dijsselbloem tha se është në dorë të grekëve për të paraqitur një numër alternativash.

"Çdo gjë që ata nuk duan e kanë bërë të qartë. Kjo do të thotë se ata do të duhet të paraqesin propozime të tjera. Ne jemi ende duke pritur. Për sa kohë që ne nuk kemi propozimet e tjera, ne nuk mund të arrijmë marrëveshje," tha zoti Dijsselbloem.

I pyetur nëse një marrëveshje është ende e mundur, ai tha se kjo është bërë shumë e vështirë, por ende është e mundur."

Mbetet shumë pak kohë që Athina dhe kreditorët e saj të arrijnë një marrëveshje, sepse Greqisë i duhet t'i shlyejë Fondit Monetar Ndërkombëtar 1,6 miliard euro para fundit të këtij muaji.

Por asnjëra palë nuk duket e gatshme për të lëshuar terren.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras akuzoi kreditorët ese po përpiqen të poshtërojnë vendin e tij duke kërkuar më shumë shkurtime.

Zoti Dijsselbloem tha më vonë në parlamentin holandez se ministrat e financave të bllokut janë kundër faljes së borxhit grek, një alternativë që ishte shqyrtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Banka Qendrore e Greqisë bëri sot një paralajmërim të zymtë se Greqia mund të dalë nga Eurozona nëse bisedimet dështojnë.

Në raportin e saj të fundit, banka qendrore paralajmëron se vendi do të vihej në një "kursin e dhimbshëm" të daljes nga euro zona nëse qeveria dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë nuk arritën dot një marrëveshje për ndihmë financiare në këmbim të reformave.

Ajo tha gjithashtu se Greqia rrezikon të hyjë përsëri në një periudhë recesioni.

XS
SM
MD
LG