Lidhje

Zgjedhjet në Greqi


Grekët sot po votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në të cilat u përballen partia konservatore e kryeministrit Antonis Samaras, Demokracia e Re dhe partia e krahut të majtë Syriza, e cila ka premtuar se do t’i japë fund shkurtimeve të thella buxhetore të imponuara nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në shkëmbim ndihmave financiare.

Kryeministri grek Antonis Samaras pasi votoi tha se zgjedhjet do të përcaktojnë "nëse vendi do të shkojë përpara me vendosmëri” apo do t’u futet aventurave.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Sot vendosim nëse do të ecim përpara me forcë, siguri, vetëbesim, apo nëse do të zgjedhim një rrugë të paqartë. Unë jam optimist sepse besoj se askush nuk do të rrezikojë rrugën evropiane të vendit tonë. Ne do të fitojmë”.

Zoti Samaras ka paralajmëruar se Greqia mund të detyrohet të dalë nga eurozona nëse Syriza vjen në pushtet.

Alexis Tsipras, udhëheqësi i Syrizës, tha sot pasi votoi se Evropa duhet të gjejë një alternativë ndaj masave shtrënguese.

Zoti Tsipras thotë se partia e tij do që të rinegociojë dy paketat financiare me vlerë rreth 300 miliardë dollarë dhe do të bind kreditorët të shlyejnë një pjesë të borxhit të jashtëm të vendit.

“Mesazhi i fuqishëm i popullit grek do të jetë se Greqia do të rikthehet në demokraci, populli grek do të rifitojë balancën dhe dinjitetin social, dhe e ardhmja jonë e përbashkët ne Evropë nuk është një e ardhme me masa shtrënguese”.


Anketat e bëra në prag të zgjedhjeve tregojnë se Syriza, ka mbështetje më të madhe dhe pritet t’i fitojë zgjedhjet. Anketat gjithashtu treguan se një numër i madh i grekëve ishin të pavendosur para zgjedhjeve të sotme.

“Syriza ka shumicën dhe ne nuk duhet ta mashtrojmë veten. Syriza duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera”, thotë votuesi Alexandros.

Perspektiva e një qeverie të udhëhequr nga Syriza ka shqetësuar kreditorët ndërkombëtarë dhe ka prekur tregjet financiare.

Zyrtarët e FMN-së thonë se nuk do t’i japin Greqisë një këstë tjetër ndihmash prej 8 miliardë dollarësh deri pas formimiit të qeverisë së re të vendit.

XS
SM
MD
LG