Lidhje

Sipërmarrësit grekë kundër krizës


Një grup zyrash në qendër të Athinës e ka vënë veten në qendër të luftës kundër rënies ekonomike të vendit. Sipërmarrësit dhe nismëtarët e rinj të biznesit në qendrën Xhaferi po punojnë së bashku në industritë të ndryshme për të përballuar krizën financiare.

I ndodhur në epiqendër të krizës ekonomike në Evropë, sektori industrial dhe i sipërmarrjes në Greqi po zhduket dalëngadalë.

Që nga viti 2010, Greqia ka humbur 1 milion vende pune, ose rreth një të pestën e fuqisë punëtore. Papunësia mbetet e lartë me mbi 25 përqind.

Athina është e tejmbushur me fabrika të braktisura dhe qendra tregtare të boshatisura. Nëse viti i kaluar dukej më me shpresë, kriza e fundit bankare dhe masat e reja shtrënguese që po negociohen në Athinë duket se janë gozhda e fundit në arkëmortin e ekonomisë.

Por në një fabrikë të vjeter, një grup i vogël sipërmarrësish grekë po u rezistojnë ndryshimeve shkatërrimtare. Kompania Xhaferi 16 e merr emrin nga adresa në lagjen Gazi në qendër të Athinës. Në këtë zonë për më shumë se një shekull gjendej fabrika e gazit për kryeqytetin. Ndërsa sot, kjo zonë po përmirësohet dhe është e mbushur me kafene, restorante dhe galeri arti.

Në një nga magazinat e boshatisura, Theodore Perdikakis që merret me reklama, vendosi të bëjë diçka ndryshe. Të ofronte hapësira zyrash me qera.

“Ideja ishte për një zyrë ndryshe që nuk duket greke apo mesdhetare. Diçka ndryshe. Donim që kjo të ishte ndërkombëtare.”

Në vitin 2008, ai krijoi qendrën Xhaferi 16 sëbashku me disa partnerë biznesi. 2008 ishte edhe viti i fundit i bumit ekonomik në Greqi.

Firma të komunikacionit dhe agjenci reklamash morën me qera hapësirë në ndërtesë por në më pak se dy vjet, gjendja ndryshoi në mënyrë dramatike.

“Kur kriza filloi të na godasë, na u desh të ndryshonim koncept,” thotë zoti Perdikakis.

Ai thotë se brenda natës sektori grek i reklamave humbi 70-75 përqind të buxhetit duke çuar në falimentimin e shumë firmave. Koncepti për ndryshim solli edhe qendrën Xhaferi16. Perdikakis solli në ndërtesë kompani të vogla. Sot, ata kanë 20 firma me zyra në tre kate të ndërtesës.

Firma holandezo-gjermane Sycada ka departamentin e teknologjisë informative në Athinë. Fotis Miho është një prej pjestarëve të ekipit.

“Ne ndërtojmë programe kompjuterike, jemi inxhinierë të informatikës dhe ndërtojmë programe për pozicionimin global, GPS.”

Në qendrën Xhaferi 16 ka zyrat edhe Elio Alnetti, drejtor i X-ray Model Management që si shumë kompani të tjera të sektorit të modës dhe reklamave u godit rëndë gjatë krizës duke bërë shkurtime brenda kompanisë. Ai mori zyrat në këtë ndërtesë dhe tani mendon se gjërat po ndryshojnë për mirë në kompaninë e tij.

“Kur modelet dhe klientët vijnë në zyrën tonë ata habiten nga arkitektura dhe thonë se ngjason shumë me ndërtesat në Amerikë.”

Alnetti sëbashku me llogaritarin kanë vetëm dy tavolina pune. Zona të përbashkëta si lokali i vetshërbimit dhe dhomat e mbledhjeve janë të përfshira në qera sëbashku me dritat, internetin, telefonat dhe gjithçka i nevojitet një biznesi.

Christos Anagnostopoulos është drejtor menaxhimi për Athinën në taxi.eu. Kompani që ndihmon lidhjen e klientëve me taksitë përmes programeve të telefonave inteligjentë.

“Një kriter ishte bashkëpunimi me kompani të tjera që ndodhen brenda së njëjtës hapësirë. Këtu i kemi të gjitha pa patur nevojë të dalim jashtë ndërtesës.”

Në katin e parë punon një dizajnues i faqeve të internetit. Një firmë për kërkime të tregut dhe tre kompani reklamash janë në katin e dytë.

Anagnostopoulos thotë se shfrytëzoi rastin pasi më parë në Athinë nuk kishte programe që lidhnin klientët me shoferët e taksive. Kushtet dhe mjedisi në Greqi nuk janë të favorshme për nisma biznesit, thotë ai. Por Xhaferi 16 po përpiqet të ofrojë sadopak fleksibilitet dhe novacion çka mund të jetë e vështirë të gjendet diku tjetër dhe t’u krijojë bizneseve hapësirë për t’u zhvilluar.

XS
SM
MD
LG