Lidhje

Paketa për Greqinë, miratohet zgjatja me 4 muaj


Kreditorët e Greqisë në Eurozonën prej 19 vendesh miratuan sot një listë reformash të propozuara nga Athina për të zgjatur me katër muaj programin e shpëtimit të saj financiar. Propozimet synojnë rigjallërimin e ekonomisë së tronditur të vendit dhe shkurtimin e shpenzimeve qeveritare.

Reagimet e para nga institucionet - Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndaj reformave të propozuara nga Greqia, ishin inkurajuese dhe u pasuan nga mbështetja e vendeve të Eurozonës.

Propozimet synojnë rigjallërimin e ekonomisë së tronditur të vendit dhe shkurtimin e shpenzimeve qeveritare në këmbim të vazhdimit të programit për shpëtimin financiar që duhet të skadonte këtë javë. Paketa masive përfshin kredi prej më shumë se 270 miliardë dollarësh.

Pa këtë program ndihme financiare gjatë disa muajve të ardhshëm, Greqia përballet me falimentim dhe largimin nga eurozona.

"Të tre institucionet ranë dakord të fillojnë procesin. Sipas tyre, propozimet janë mjaftueshëm serioze dhe të gjitha vendet sapo u shprehën dakord në takimin e tyre, pra ne mund të fillojmë nga puna," tha Jeroen Dijsselbloem, President i Grupit Euro.

Plani i reformave përfshin masa për të luftuar evazionin fiskal dhe korrupsionin, për të pakësuar burokracinë dhe kontrolluar shpenzimet publike. Ai parashikon gjithashtu modernizimin e sistemit të pensioneve, reformimin e gjyqësorit dhe luftën kundër varfërisë me masa që, sipas qeverisë greke, nuk kanë efekte financiare. Në plan thuhej se qeveria do ta kthejë luftën kundër korrupsionit në një përparësi kombëtare.

Plani u dërgua përpara afatit, që përfundonte të hënën në mbrëmje.

Tregjet e aksioneve në Greqi reaguan pozitivisht ndaj këtij zhvillimi dhe çmimet u rritën ndjeshëm në hapje të bursës.

Megjithëse masat e reformës u mirëpritën, ministrat e Eurozonës thanë se Greqia duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të plotësuar hollësitë e planit.

Në një deklaratë të ministrave autoriteteve greke u bëhej thirrje ta zgjerojnë listën e reformave .

XS
SM
MD
LG