Lidhje

Greqia dhe kreditorët ende larg marrëveshjes


Kryeministri grek Alexis Tsipras pritet të takohet me Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker sot në mbrëmje në Bruksel. Por megjithëse zoti Tsipras u bëri thirrje kreditorëve ndërkombëtarë të luajnë rolin e tyre për të arritur një marrëveshje që do t’u jepte fund spekullimeve për largimin e vendit të tij nga Eurozona, shpresa për një gjë të tillë duket se u shua që para bisedimeve.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble tha se një shikim fillestar i propozimeve greke për reformat linte të kuptohej bisedimet drejt nje marrëveshjeje për të autorizuar fondet për Athinën nuk kanë gjasa të përfundojnë së shpejti.

"Programi mbetet ai që është. Dhe duke patur parasysh se është shtyrë deri në fund të qershorit, varet se si do të zbatohet. Për këtë janë përgjegjëse tre institucione dhe ato nuk kanë autoritet të negociojnë. Puna e tyre është që të vlerësojnë nëse Greqia po i respekton marrëveshjet për zbatimin e të cilave qeveria greke u angazhua më 20 shkurt”, tha ai.

Duket se shpresa e kryeministrit Tsipras për t’i dhënë fund bllokimit nga huadhënësit, sic u shpreh ai para takimit, përmes një propozimi “për një kompromis me përfitim reciprok”, nuk u realizua. Ai tha se ky ishte edhe synimi i vizitës së tij në Bruksel.

"Do t’i shpjegoj zotit Juncker se sot më shumë se kurrë është e nevojshme që institucionet dhe kryesisht udhëheqësit politikë të Evropës, të përqafojnë realizmin që ka dëshmuar pala greke gjatë tre muajve të fundit, duke negociuar të drejtat e popullit grek për të mirën e një Evrope të bashkuar, që sot është më e nevojshme se kurrë më parë”.

Komisioni Evropian e kishte thënë se nga takimi i sotëm nuk pritej ndonjë marrëveshje.

Komisioneri Juncker e ka ftuar kryeministrin Tsipras për të diskutuar ecurinë e negociatave mes Greqisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Greqia nuk ka marrë fonde nga kreditorët e saj kryesorë, FMN-ja, Banka Qendrore Evropiane dhe vendet e Eurozonës që nga gushti i kaluar.

Më 5 qershor, ajo duhet t’i kthejë FMN-së 300 milionë Euro, por zëdhënësi i grupit parlamentar të Syrizës tha sot se ky afat do të skadojë pa pagesë, nëse nuk ka një perspektivë për një marrëveshje ndihmash në këmbim të reformave me kreditorët.

XS
SM
MD
LG