Lidhje

Greqia merr presidencën e BE-së


Greqia merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, e cila zgjat gjashtë muaj. Kjo ndodh në një kohë që vendi është përballur me vështirësi të shumta ekonomike, ndërsa partia opozitare Syriza deklaron se nuk do të marrë pjesë në ceremonitë e organizuara me këtë rast.

Autoritetet në Greqi mbyllën rrugë dhe vendosën forca policore në qendër të Athinës ndërsa vendi merr sot zyrtarisht presidencën e rradhës gjashtë-mujore të Bashkimit Evropian.

Më shumë se 2 mijë policë janë në detyrë për ruajtjen e sigurisë.
Aktivitetet nisën me një vizitë në qendrën e konferencave Zappeion të kryeqytetit të komisionerëve të BE-së, të udhëhequr nga presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso.

Por Aleksis Tsipras, kreu i partisë kryesore opozitare radikale të majtë Syriza, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në aktivitete, duke ngjallur kritika nga drejtues të koalicionit qeveritar dypartiak. Dimitris Papadimoulis, zëdhënës parlamentar i partisë Syriza, tha sot se roli i presidencës së BE-së ka qenë "shumë i kufizuar".

"Për fat të keq, presidenca ka vetëm një rol të kufizuar, pothuajse thjesht ceremonial. Cilët evropianë e dinë se gjatë gjashtë muajve të mëparshëm presidencën e kishte Lituania?"

Zoti Papadimoulis tha gjithashtu se Athina është në disavantazh për shkak të "borxhit të madh të vendit, masave shtrënguese, recesionit të ashpër ekonomik dhe imazhit të keq", për të cilat ai fajësoi atë që quan qeverisje e dobët.

Greqia po përjeton probleme të thella financiare duke mbijetuar me anë të kredive të shpëtimit nga vendet e tjera evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që nga maji i vitit 2010.

Autoritetet e Athinës thonë se gjatë presidencës së tyre synojnë të përqëndrohen tek çështjet e papunësisë, rritjes ekonomike dhe politikat e migracionit të BE-së, të cilat prekin Greqinë ndoshta më shumë se çdo vend tjetër në organizatë.

Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në bllokun e Eurozonës mbetet pranë shifrave rekord, në një nivel prej 12,1 për qind në nëntor. Por kriza financiare e Greqisë duket të jetë më e rënda në BE dhe papunësia ende mbetet në rreth 27 për qind.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG