Lidhje

Greqia para rrezikut të daljes nga Euro


Greqia tha sot se nuk do ta bëjë pagesën prej 1.8 miliardë dollarësh që i detyrohej Fondit Monetar Ndërkombëtar. Qeveria ka urdhëruar mbylljen e bankave dhe ka vendosur kufizime të rrepta për tërheqjen e parave. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton se pas muajsh negociatash të dështuara, duket se Greqia do të vendosë për fatin e ekonomisë së saj brenda ose jashtë Euros:

Në bankomate në gjithë Athinën, njerëzit rrinë në radhë të gjata për të tërhequr para. Dyert e bankave do të mbeten të mbyllura për gjithë javën

Kontrolli i kapitalit ishte i pashmangshëm pasi Banka Qendrore Evropiane vendosi të ndërpresë mbështetjen jetike me cash për bankat greke, thotë ekonomisti Ioannis Kokkoris i Universitetit Mbretëresha Mary të Londrës:

“Mesa duket, bankave u kanë mbetur 1-3 miliardë Euro. Një miliardë dolën nga bankat të premten, një miliardë të shtunën, kështuqë nëse nuk do të kishin vendosur kontrolle për kapitalin, bankat do të boshatiseshin komplet”.

Bisedimet për një marrëveshje të re për ta zgjeruar paketën e shpëtimit prej 240 miliardë Eurosh, u ndërprenë të shtunën pasi kryeministri grek Alexis Tsipras shpalli një referendum për më 5 korrik lidhur me propozimet e Bashkimit Evropian. Qeveria greke po u bën thirrje qytetarëve që ta mbështesin qëndrimin e saj dhe të votojnë kundër:

“Ne e shohim referendumin si vazhdim të negociatave përmes mjeteve të tjera. Referendumi nuk është një mënyrë për të dalë nga Eurozona”.

Por Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se bëhej fjalë për një votimi për anëtarësinë në Bashkimin Evropian:

“Një votë kundër do të thotë, pavarësisht se si është formuluar pyetja, që Greqia t’i thotë ‘jo’ Evropës”.

Sondazhet paraprake tregojnë se një shumicë e vogël është në favor të marrëveshjes ofruar nga BE. Zoti Kokkoris thotë se ditët në vazhdim kanë rëndësi jetike:

“Nëse shohim trazira sociale, mendoj se vota të kthehet në ‘po’. Nëse gjendja mbetet e qetë me bankat, nëse rrogat paguhen në kohë, nëse pensionet paguhen në kohë, prapë mundësia është që diferenca të jetë fare e vogël”.

Grekët duhet të zgjedhin mes masave të mëtejshme shtrënguese për një kohë të pacaktuar dhe të papriturës së daljes nga Eurozona, thotë profesor Dionyssis Dimitrakopoulos:

“Ajo që po ofrohet tani, nuk përfshin atë që u duhet grekëve të paktën psikologjikisht, dhe që i duhet ekonomisë, pra masa lehtësuese. Vendi nuk mund t’i paguajë borxhet që ka”.

Kostoja e huamarrjes është rritur ditët e fundit edhe për ekonomi të tjera me borxhe në Evropë, përfshirë Spanjën, Portugalinë dhe Italinë:

“Italia ka pasur sufiçite buxhetore për shumë vjet. Megjithatë borxhi i saj nuk është ulur. Prandaj po të isha Matteo Renzi unë do të mendoja: kujt i vjen radha pas Greqisë?”

Analistët thonë se rreziku i ndikimit tek vendet e tjera, është më i vogël se në vitet e kaluara. Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew i ka kërkuar Greqisë dhe kreditorëve të saj që të arrijnë një marrëveshje më të gjerë dhe t’i finalizojnë hollësitë më vonë.

XS
SM
MD
LG