Lidhje

Gjermania dhe kriza greke


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të martën se Gjermania nuk do të negociojë për një marrëveshje të re për Greqinë, para se të përfundojë referendumi i planifikuar për të djelën.

Ajo tha, se kjo vlen, edhe në se të martën bëhen oferta të reja, duke lënë të kuptohet se tashmë është vonë për t’i shqyrtuar propozimet e reja. Kancelarja fajësoi qeverinë greke që lejoi që plani i ndihmave të skadonte të martën në mesnatë.

Qeveria greke i dërgoi një letër ministrave të financave të Eurozonës të martën duke kërkuar një zgjatje të minutës së fundit të planit ekzistues, një financim dy-vjeçar dhe ristrukturim të borxheve.

Ministria e financave e Gjermanisë ia dërgoi propozimin grek ekspertëve të financave në parlamentin gjerman.

Ndërkohë zëdhënësi i presidentit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem tha të martën se ministrat e financave të Eurogrupit do të zhvillojnë një tjetër telekonferencë të mërkurën në mëngjes.

Analisti amerikan fajëson Merkelin

Ndërsa Greqia është në prag të falimentimit, duke mos qënë në gjendje të bëjë pagesën e borxhit për FMN-së, një ekspert amerikan, tha se vëmendja duhet përqëndruar tek Gjermania, si kreditorja kryesore e Greqisë.

“Kancelarja Merkel kishte rastin më të mirë të parandalonte falimentimin”, sipas Robert Shapiro-s, Drejtor Ekzekutiv i firmës konsulente “Sonecon”, ish nën-sekretar i tregëtisë në administratën e presidentit Klinton.

Zoti Shapiro beson se Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde, po përballet me “trysni të jashtëzakonshme për t’u tërhequr nga buza e greminës”.

“Ka trysni shumë të madhe nga biznesi dhe nga komuniteti bankar. Ka trysni të madhe nga politika. Problemi kryesor është Gjermania. Në se Gjermani i ushtron trysni FMN-së, mendoj se Lagarde do të bindet”, tha zoti Shapiro.

Ish zyrtari amerikan fajësoi kancelaren Merkel se “po luan një lojë të rrezikshme” me ekonominë e Greqisë.

Udhëheqësja gjermane, ndodhet në pozitë të vështirë, thotë zoti Shapiro, pasi taksapaguesit gjermanë nuk e pëlqejnë idenë e dhënies së fondeve të mëtejshme për të shpëtuar Greqinë.

“Do të ishte shumë e vështirë për të, për të bindur opinionin për një paketë tjetër shpëtimi, por alternativa do të ishte rrezikimi i një krizë që mund të bëhej përcaktuese për trashëgiminë e saj”, thotë analisti.

Në se Greqia falimenton duke mos paguar këstin e FMN-së, kjo do të ishte hera e parë në historinë e FMN-së, që një ekonomi e avancuar do të falimentonte ndaj borxxhit të marrë nga vetë institucioni financiar, duke e futur Athinën, ekonomia e së cilës ka rënë me mbi 25 për qind që nga 2009, në të njejtën kategori si Zimbaveja, Sudani dhe Kuba.

Protesta në Athinë

Mijëra grekë protestuan të martën në sheshin Syntagma të Athinës, pranë parlamentit, në mbështetje të qëndrimit të vendit të tyre në Eurozonë. Sipas autoriteteve rreth12 mijë njerëz u mblodhën në demonstratë, me parullën “Do Qëndrojmë në Evropë”.

Ish kryeministri i Greqisë dhe kryetari i Partisë opozitare Demokracia e Re, Antonis Samaras, bëri thirrje që në referendum të votohet PO, në mënyrë që Greqia të qëndrojë në Eurozonë.

XS
SM
MD
LG