Lidhje

Reagimi i tregut pas hollësive mbi ndihmën financiare për Greqinë

  • Zëri Amerikës

Reagimi i tregut pas hollësive mbi ndihmën financiare për Greqinë

Reagimi i tregut pas hollësive mbi ndihmën financiare për Greqinë

Përqindja e interesit të huave që do të marrë Greqia ra sot, pasi vendet e Eurozonës dhanë hollësitë e ndihmave financiare që do t’i ofrojnë këtij vendi për ta nxjerrë nga kriza financiare. Ky ishte një reagim fillestar pozitiv i tregut në përgjigje të deklaratës së djeshme të qeverive të Eurozonës, të cilat thanë se do t’i jepnin një hua prej 30 miliardë Eurosh Greqisë, nëse Athina do të kërkojë ndihmë financiare, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar do të kontribuojë me rreth 10 miliard Euro të tjera.

Ministrat e financave të Eurozonës ranë dakort për një formulë tre-vjeçare financimi që do të ofrojë një normë fikse interesi prej 5 përqind, ose të ndryshueshme, prej 4 përqind. Kjo normë interesi është prapë më e lartë se ajo që paguajnë vendet që marrin ndihma nga FMN-ja, por është më e ulët se përqindja e interesit që ofron tregu tani për tani.

“Më në fund ka një zgjidhje më të qartë, sepse në Mars u krijua përshtypja se nuk kishte një marrëveshje, por thjesht mirëkuptim. Tani të paktën ekziston një marrëveshje që i jep mundësinë qeverisë të zbatojë masat e saj,” thotë ekonomisti Vangelis Agapitos.

Siç duket, prirja e tregut drejt uljes së përqindjes së interesit të huasë për Greqinë që filloi sot do ta ndihmojë Athinën, e cila ka thënë se nuk mund të vazhdojë të paguajë norma të larta interesi për huatë e saj.

Shpresa është se fakti që huatë po ofrohen, do ta qetësojë tregun. Kjo do ta bënte të mundur që Greqia të merrte hua me norma interesi të pranueshme duke shitur bono thesari.

Deklarata e djeshme bëri të njohura hollësitë e ndihmës së ofruar nga Eurozona dhe FMN-ja me 25 mars. Megjithatë, ajo nuk i qetësoi investitorët sepse nuk jepte hollësi të rëndësishme rreth ndihmës dhe vinte kushte të rrepta që e bënin marrjen e huave shumë të vështirë.

“Në një periudhë afat-shkurtër, Greqisë i nevojiten norma të ulëta interesi.”

Javën e kaluar normat e interesit të bonove greke të thesarit arritën nivelin historik të 7,5 përqind.

XS
SM
MD
LG