Lidhje

Banka Evropiane, masa të reja kundër krizës


Grekët reagojnë ndaj marrëveshjes së krerëve të koalicionit

Banka Qendrore Evropiane thotë se po merr masa të reja në përpjekje për t’i dhënë fund krizës financiare në Eurozonë. Presidenti i Bankës Mario Draghi thotë se banka qendrore është e gatshme të blejë bonot e thesarit të qeverive të dobësuara nga borxhi të kontinentit, një hap që do të lehtësonte koston e huamarrjes për Spanjën dhe Italinë. Zoti Draghi nuk dha ndonjë afat për sasinë e blerjeve të bonove por tha se do të ishte e mjaftueshme për stabilizimin e kostove të huamarrjes në Eurozonë. Ai tha se detajet do të përpunohen në javët në vazhdim.

Si qeveria e Madridit edhe e Romës kanë pasur vështirësi që t’i mbajnë nën kontroll kostot e huamarrjes. Disa analistë kanë thënë se problmet ekonomike në Eurozonë kanë vënë në rrezik ekzistencën e Euros. Ndërkohë, grekët në Athinë thonë se janë mësuar me idenë e shkurtimeve të reja të shpenzimeve por mbeten pesimistë se ato mund të zgjidhnin krizën ekonomike të vendit.

Ministri grek i financave Yannis Stournaras tha dje se krerët e koalicionit qeveritar kishin arritur një marrëveshje prej 11.5 miliardë Eurosh për shkurtimet që ishin vënë si kusht nga institucionet huadhënëse.

Sipas njoftimeve, udhëheqësit e koalicionit trepartiak arritën marrëveshjen pasi kishin debatuar për javë të tëra, duke u përpjekur të shmangnin masa edhe më të rrepta për publikun.

Udhëheqësit e koalicionit qeveritar donin që shkurtimet të bëheshin gjatë një periudhe katër vjeçare dhe jo dyvjeçare siç janë kushtet e paketës së shpëtimit, por thanë se do ta linin mënjanë këtë kërkesë tani për tani, për interesat e vendit, pasi zyrtarët e qeverisë argumentuan se duhet të zbatoheshin reformat para se të rinegocioheshin kushtet e borxhit.

Në rrugët e Athinëse, disa banorë mbeteshin stoikë.

“Besoj se disa nga masat do të jenë të dhimbshme për shumë njerëz, por ca gjëra janë të nevojshme. Nuk mund të rrimë gjithë kohën duke folur për to”.

“Disa masa duhen marrë sepse për fat të keq gjendja nuk po përmirësohet, kështuqë ata duhet të merrnin një vendim”.

Por shumë grekë mbeten pesimistë për efektivitetin e raundit të fundit të masave.

“Nuk besoj se 11.5 milardë shkurtime do të zgjidhin gjë. As nuk besoj se këto shkurtime do të zbatohen apo se situata do të përmirësohet”.

Vlera e aksioneve në bursën greke ishte më e lartë sot pasi udhëheqësit arritën marrëveshjen. Por pasiguria mbetet lidhur me rezultatet e takimit të qeverisë me huadhënësit dhe me Bankën Qendrore Evropiane.

XS
SM
MD
LG