Lidhje

Grevë e përgjitshme në Greqi


Trojka ndërkombëtare e përbërë nga insepktorët e borxhit të BE, BQE dhe FMN, ka kërkuar reforma më të mëdha fiskale në vend si kusht për ndihmë

Policia greke përdori gazin lotsjellës ndaj protestuesve në Athinë, pasi disa demonstrues hodhën bomba benzine mbi ta, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz demonstrojnë kundër raundit të fundit të masave shtrënguese. Punonjësit grekë kanë nisur sot një grevë të përgjitshme, e para që nga krijim i koalicionit qeverisës në muajin qershor.

Greqia duhet të bëjë 15 miliard dollarë shkurtime në shpenzime gjatë dy viteve të ardhshme, në mënyrë që të marrë këstin tjetër të ndihmave ndërkombëtare.

Policia u përlesh me protestuesit duke përdorur gazin lotsjellës në qendër të Athinës sot pas një proteste antiqeveritare e cila ishte pjesë e grevës së përgjithshme.

Policia përdori gazin lotsjellës kundër qindra demonstruesve pasi dhuna shpërtheu pranë parlamentit të vendit. Protestuesit iu vunë zjarrin pemëve në Kopshtin Kombëtar dhe përdorën objekte të rënda për të thyer pllakat e gurta të rrugëve e mbajtëset e mermerta , për t’i përdorur kundër policisë.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm shitësa, farmacistë, mësues, punonjës të doganave dhe mekanikë makinash iu bashkuan demonstrimit të 50 mijë punonjësve në një grevë e cila shihet si provë e durimit të njerëzve për t’u përballur me më shumë vështirësi financiare, mbas dy viteve të ashpra shkurtimesh buxhetore dhe rritje të taksave.

Si pasojë e grevës sot u mbyll Akropoli, pika turistike më e famshme e Athinës, si dhe u pezulluan për disa orë fluturimet.

Edhe tragetet pezulluan udhëtimet e tyre; shkollat, dyqanet dhe pikat e karburanteve u mbyllën, ndërsa në spitale punonte vetëm personeli i urgjencës.

Greqia është e varur nga huatë ndërkombëtare të vendve të tjera të Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërmkombëtar që në mes të vitit 2010.

Politikanët e Athinës po përpiqen që të vendosin edhe më shumë masa shrtënguese të cilat mund të jenë të pranueshme për kreditorët. Ky proces po shoqërohet me mosmarrëveshje në rritje mes tre partive që krijuan koalicionin qeverisës në vend.

Alexis Tsipras, udhëheqës i partisë së opozitës Syriza thotë:

“Greva e stome do të jetë një gur themeli, kjo grevë do të përfundojë vetëm me fitoren e popullit ndaj trojkave vendase të huaja”.

Trojka ndërkombëtare e përbërë nga inspektorët e Bashkimit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka kërkuar reforma më të mëdha fiskale në vend si kusht për ndihmë.

Kësti i rradhës prej 40 miliardë dollarësh varet nga pranimi i qeverisë greke të shkurtimeve të mëtejshme.

Pa huatë ndërkombëtare, Greqia do të detyrohet të hyjë në një situatë të paqartë mospagimesh të kësteve çka mund të sjellë daljen e saj nga blloku i 17 vendeve që përdorin monedhën euro.
XS
SM
MD
LG