Lidhje

Greqia shpëton një anije me qindra emigrantë


Është ankoruar në një port të Greqisë një anije me 700 emigrantë, një ndër mjetet lundrues me numrin më të madh të imigrantëve vitet e fundit. Kjo vjen vetëm pak ditë pasi politikat e Bashkimit Evropian për azilin dhe imigracionin u kritikuan nga Papa Françesku.

Anija e mallrave "Baris" u tërhoq në portin Ierapetra në ishullin grek të Kretës. Anija mbeti pa energji pasi u godit nga një stuhi me erëra të fuqishme dhe u shpëtua nga marina greke.

Në bordin e saj ishin rreth 700 emigrantë, të lodhur e të tmerruar. Ata janë vendosur tani në një stadium basketbolli, ndërkohë që statusi i tyre i refugjatit është në shqyrtim e sipër. Një zyrtar grek tha se shumë prej tyre janë sirianë të zhvendosur nga lufta civile.

"Janë dy grupe emigrantësh. Sirianët, në bazë të udhëzimeve të OKB-së, do të lirohen pas verifikimit, pasi ata konsiderohen refugjatë".

Greqia është një nga vendet më të prekura nga vala e emigrantëve. Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, emigrantët duhet të qëndrojnë në vendin ku ata arrijnë deri sa të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Në Athinë, të hënën rreth 150 emigrantë sirianë filluan një grevë urie jashtë ndërtesës së parlamentit. Shumica e tyre u paguajnë rreth pesë mijë dollarë kontrabandistëve për të arritur në Evropë në mënyrë të paligjshme dhe pas arritjes mbesin pa para.

Njëzet e dy vjeçari Ammar thotë se ai iku nga Aleppoja e Sirisë, pasi babai i tij u vra dhe vëllai i tij u burgos.

"Nuk kemi dokumente, nuk mund të marrim banesë me qira, nuk mund të bëjmë asgjë, kështu që duhet të merremi me mafien, dhe të paguajmë të paktën 100 euro në muaj për një krevat".

Kjo ndërtesë mes Gjykatës Supreme dhe Stacionit të Policisë në Athinë, ka strehuar refugjatët grekë të ikur nga Turqia pas Luftës së Parë Botërore. Tetëdhjetë e pesë vjet më vonë, ajo strehon emigrantë kryesisht nga Siria, Irani, Turqia, dhe Afganistani, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë.

"Vendi im është në luftë të përgjakshme me talebanët. Shumë njerëz vriten nga talebanët".

Me vazhdimin e konflikteve në vende si Afganistani dhe Siria, do të vazhdojë edhe vala e refugjatëve dhe Evropa duhet të merret me këtë çështje, thotë Andrej Maheçiç i Komisionit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

"Duhet të sigurohet jo vetëm shpëtimi i njerëzve, por edhe pritja e tyre dhe përmirësimi i objekteve të pritjes. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e shtetit ku këta njerëz zbarkojnë por duhet të ketë një përpjekje të përbashkët për ti ndihmuar ata".

Papa Françesku tha diçka të ngjashme të martën duke e kritikuar reagimin e Evropës ndaj krizës së emigrantëve gjatë një fjalimi në Parlamentin e BE-së në Strasburg të Francës.

"Mungesa e mbështetjes reciproke brenda Bashkimit Evropian rrezikon inkurajimin e zgjidhjeve të pjesshme të problemit, të cilat nuk arrijnë të marrin parasysh dinjitetin njerëzor të emigrantëve, dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në krijimin e skllavërise dhe tensioneve të vazhdueshme sociale", tha Papa Françesku.

Komentet e hapura të Papës befasuan shumë ligjvënësve të BE-së - dhe shtuan kërkesat për reformimin e politikave të Evropës mbi azilin.

XS
SM
MD
LG