Lidhje

Rëndohet situata e emigrantëve në kufirin Greqi – Maqedoni

  • Henry Rdigewell

Dita e sotme i ka gjetur mijëra emigrantë të bllokuar në baltë dhe shi në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë. Pasiguria e tyre për të ardhmen po shtohet në mënyrë dramatike, ndërkohë që një tensionim i ri kërcënon të rëndojë më tej marrëdhënien e acaruar të Greqisë me Evropën.

Pas një nate me reshje, emigrantët u gdhinë në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë në një kamp të zhytur në ujë. Tendat, rrobat dhe batanijet janë të gjitha të lagura dhe pothuajse nga çdo tendë dëgjohen të kollitura. Shumë prej tyre u munduan në mëngjes t’i zhvendosnin tendat në tokë më pak të lagur. Pas një udhëtimi të gjatë për të arritur deri këtu, qëndrimi i gjatë në kushte të tilla reflekton qartë dëshpërimin në sytë e një emigranteje shtatëzënë në muajin e nëntë të barrës:

“Gjithçka është mbushur me ujë dhe është shumë ftohtë. E shikoni që rrobat e njerëzve janë të gjitha të lagura tashmë.”

Sipas agjensisë Reuters, mbi 500 emigrantë të tjerë mbërritën sot me autobuzë. Kampi i përkohshëm strehon pothuajse 12 mijë emigrantë në kushte dramatike, ndërkaq që marrëdhëniet e Greqisë me Evropën vazhdojnë të përkeqësohen.

Sipas policisë greke, gjatë 24 orëve të fundit, 320 emigrantë u lejuan nga autoritetet maqedonase të kalojnë kufirin, ndërsa disa të tjerë u kthyen mbrapsht. Krahas rreth 30 mijë emigrantëve që mendohen se janë të bllokuar në Greqi pas mbylljes së kufijve dhe kontrollit të rreptë që po ushtrohet që nga Austria deri në vendet e Ballkanit Perëndimor, përllogaritet se çdo ditë 3 mijë emigrantë të tjerë vazhdojnë të kalojnë detin Egje nga Turqia:

“Sigurisht që po shtohet zemërimi. Familje të tëra, me gra dhe fëmijë, kanë qëndruar në vend për ditë të tëra. Shqetësimi ynë është se as nuk duket ndonjë zgjidhje në horizont,”- thotë një imigrant.

Shumë sirianë thonë se u janë larguar sulmeve ajrore të qeverisë siriane dhe aleates së saj, Rusisë. Komandati i NATO-s në Evropë, Gjenerali Philip Breedlove, ka paralajmëruar se Moska po e përdor si armë krizën e refugjatëve:

“Është shumë e qartë se Rusia po e shfrytëzon krizën e refugjatëve për të përçarë Evropën.”

Duke qenë se armëpushimi delikat i arritur në Siri duket se po qëndron,

Presidenti i Francës tha sot se do të përshpejtohen diskutimet për një tranzicion politik në vendin e shkatërruar nga lufta.

Pasi bisedoi me udhëheqësit e Rusisë, Gjermanisë, Britanisë dhe Italisë, zoti Hollande tha se ka dakortësi për shfrytëzuar armëpushimin e arritur për të koordinuar ndihmat humanitare dhe çeljen e proçesit të tranzicionit politik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG