Lidhje

Athinë, reagime për përpjekjet e qeverisë së re


Pas një takimi të tensionuar dhe pa rezultat mes ministrave të financave të Greqisë dhe Gjermanisë dje në Berlin, mbetet ende pa përgjigje pyetja se si do të veprojë qeveria e re greke përkundrejt detyrimeve të saj financiare dhe kushteve të rrepta që shoqëruan kreditë për daljen nga kriza:

Grekët u zgjuan të premten me pikëpyetje të reja për rrugën që do të marrë vendi i tyre për të dalë nga barra e rëndë e borxheve. Nata e mbrëmshme u shoqërua me demonstrime në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë së re për të rinegociuar marrëveshjen e borxhit me Bashkimin Evropian. Kishte nga ata që shprehnin haptazi krenarinë për qëndrimin e Kryeministrit Alexis Tsipras:

“Njerëzit kanë dalë për të shprehur mbështetje për qeverinë që po lufton për të drejtat dhe interesat e popullit grek dhe rinisë, po lufton për dinjitet dhe forcë përballë katastrofës humanitare që kanë shkaktuar politikat e BE-së dhe ish-kryeministrit Samaras”, - thotë një protestues.

Tubimet u organizuan ndërkohë që ministri grek i financave Yanis Varufakis zhvilloi një takim të ndezur me homologun gjerman lidhur me kushtet e vendosura për borxhin grek. Pas takimit në Berlin, ministri gjerman Volfgang Shojbël komentoi se i kishte thënë zotit Varufakis se nuk është realiste të bësh premtime elektorale që do t’u vihen barrë vendeve të tjera. Takimi ishte një tentativë pa rezultat.

Për shumë grekë, borxhi mbetet një realitet i pamohueshëm dhe zgjidhja e tij kërkon më tepër se një retorikë optimiste:

“Situata është e rëndë. As Varufakis, as ndokush tjetër nuk është në gjendje ta zgjidhë. Kreditorët nuk do të na japin gjë falas. Meqë i morëm këto borxhe, duhet t’i paguajmë. Por se si do t’i paguajmë, vetëm qeveria e di”, - thotë një pensionist.

Sinjalet nga BE-ja janë se nuk do të pranojë rinegociimin e kushteve të borxhit, apo të reduktojë një masë të madhe të tij. Nga ana e saj, qeveria e Kryeministrit Alexis Tsipras ka thënë se nuk do ta zgjasë programin e shpëtimit ekonomik që skadon këtë muaj dhe nuk ka pranuar të bashkëpunojë me grupin e kreditorëve ndërkombëtarë.

Situata konfuze vazhdon të dëmtojë tregun e aksioneve, i cili sot u hap me rënie prej 1 për qind. Aksionet e bankave ranë 3 për qind.

XS
SM
MD
LG