Lidhje

Papandreu kërkon ndihmë financiare nga SHBA

  • Zëri Amerikës

Papandreu kërkon ndihmë financiare nga SHBA

Papandreu kërkon ndihmë financiare nga SHBA

Kryeministri grek Jorgo Papandreou bëri thirrje për reforma financiare globale dhe u kërkoi Shteteve të Bashkuara të vendosin rregulla më të rrepta ndaj fondeve të mëdha të investimeve që sipas Greqisë ndikuan në përkeqësimin e krizës së saj ekonomike. Zoti Papandreu u takua dje me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton ndërsa sot do të ketë një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Obama.

Kryeministri grek Papandreu po kërkon mbështetje më të madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian për masat e ashpra të qeverisë së tij që synojnë të zbutin deficitin e madhe buxhetor të vendit.

Ai u tha gazetarëve se nuk kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara për të kërkuar ndihmë financiare.

"Ne thjesht kërkojmë të jemi partnerë të barabartë dhe i kemi marrë këto masa që edhe ne të mund të marrim kredi si të tjerët, pra me përqindje normale interesi,” tha zoti Papandreu.


"As kryeministri Papandreu dhe as Greqia nuk kanë kërkuar ndonjë gjë nga Shtetet e Bashkuara,” u tha zonja Klinton gazetarëve.

Pas takimit me Sekretaren Klinton në Departamentin e Shtetit, zoti Papandreu tha se Greqia po kërkon rrugë brenda Bashkimit Evropian për të përmirësuar shanset e saj për të marrë kredi.

Greqia po zbaton një plan masash emergjence për të pakësuar deficitin buxhetor që kap 12,7% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar dhe ka paralajmëruar se nëse europianët nuk japin një zgjidhje, ajo do t’i drejtohet për ndihmë Fondit Mondetar Ndërkombëtar.

Por Ministri i Financave, Jorgo Papakonstantinu, i cili dje ishte në selinë e Fondit Monetar në Uashington, tha se ai thjesht kishte kërkuar këshillë teknike për reformat në fushën e taksave dhe të buxhetit.

"Ne nuk kemi kërkuar ndihmë financiare, dua ta bëj këtë fare të qartë. Nuk e kemi përjashtuar një gjë të tillë në të ardhmen por ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje europiane të problemit,” tha ministri grek.

Nëse FMN-ja ndërhyn për të ndihmuar, kjo do ta vinte në pozitë të vështirë Bashkimin Europian pasi do të nënkuptonte se BE-ja është e paaftë të zgjidhë problemet e veta.

Vizita e zyrtarëve grekë në Uashington bëhet ndërkohë që Greqia përpiqet të kapërcejë problemet e mëdha ekonomike të cilat u rënduan pas ardhjes së socialistëve të Papandreut në pushtet. Faktet treguan se defiti buxhetor ishte shumë më i madh se sa kishte bërë të ditur qeveria e mëparshme.

Zyrtarët europianë janë të shqetësuar se deficiti buxhetor i Greqisë mund të çojë në rënien e vlerës së euros. Gjatë një diskutimi në Intitutin Brookings të Uashingtonit, kryeministri Papandreu paralajmëroi për pasojat:

"Për Amerikën, një euro e dobët nënkupton diçka tjetër, nënkupton ndodhta një dollar të fortë. Dhe kjo nga ana e saj çon në rritjen e deficitit tregtar amerikan. Nëse nuk ndihmon Bashkimi Europian, i cili është ende partneri më i madh tregtar i Amerikës, atëhere pasojat në Shtetet e Bashkuara do të ishin të dukshme,” tha zoti Papandreu.

Nga ana e tij, ministri i financave Papakonstantinu paralajmëroi se fuqitë kryesore ekonomike të botës ende nuk i kanë venë në zbatim ndryshimet që duhen bërë për të shmangur një tjetër krizë ekonomike.

"Pyetja e vërtetë që duhet t’i bëjmë vetes në të dyja anët e Atlantikut është: a kemi nxjerrë ne mësime nga kriza financiare? Mendoj se përgjigja e ndershme është se megjithë njëfarë vullneti politik për ta bërë këtë, ne në fakt ende nuk i kemi marrë të gjitha masat."

Kjo temë pritet të diskutohet edhe sot gjatë takimit të kryeministrit grek Papandreu me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG