Lidhje

Prindërit grekë kundër shkollimit të refugjatëve


Qeveria greke ka njoftuar se synon të integrojë deri në fund të të këtij muaji mbi 15 mijë fëmijë refugjatë në sistemin shkollor të vendit. Në një qytezë pranë Selanikut, shoqata e prindërve e kundërshtoi integrimin e fëmijëve refugjatë, duke ngritur shqetësime për kujdesin shëndetësor.

Shoqata e prindërve në një shkollë në Oraiokastro, në rrethinat e Selanikut, ka kërcënuar se do të zaptojë godinën e shkollës, në se qeveria do të zbatojë një plan për integrimin e fëmijëve refugjatë dhe emigrantë në sistemin arsimor të vendit:

“Vendimi i asamblesë është të mos pranojmë fëmijë refugjatë në shkollë, pasi ka shqetësime për kujdesin shëndetësor. Deri më tani, nuk kemi reagim nga ministritë e arsimit dhe të shëndetësisë për të siguruar integrimin gradual të refugjatëve në sistemin shkollor.”

Prindërit shprehën shqetësime se fëmijët nga kampet e refugjatëve mund të transmetojnë sëmundje, si turbekulozi tek fëmijët vendas.

Shkollat në Greqi u hapën këtë javë dhe qeveria synon të integrojë deri në fund të muajit mbi 15 mijë fëmijë refugjatësh në shkollat greke. Sipas propozimit fillestar, ata do të mësojnë në klasa të veçanta, pas orarit të klasave të rregullta.

Babai i tre fëmijëve, 36-vjeçari Shojaa Al Khalil nga Siria, mbërriti në ishullin grek Lesbos më 17 shkurt dhe jeton tashmë në një kamp refugjatësh në Oraiokastro, pasi u bllokua në Idomeni, në kufirin me Maqedoninë:

“I kërkoj qeverisë t’i marrë fëmijët tanë në shkolla. Duhet të vazhdojnë të mësojnë. Humbën shumë vite në Siri pa bërë shkollë. Duhet të vazhdojnë të jenë aktivë në jetën e tyre.”

Por, prindërit në Oraiokastro përmendin aspektin shëndetësor:

“Mendimi im dhe i shumë prindërve është që t’i pranojmë fëmijët nga kampet rrotull në shkolla, vetëm nëse përfitojnë mbulim shëndetësor nga shteti.”

Kryetari i bashkisë mbështet pozicionin e prindërve:

“Si mund të pranohen fëmijët pa asnjë garanci nga qeveria? Nëse jepet mbështetja dhe bihet dakort me shoqatën e prindërve, që është organi më i lartë qeverisës i shkollës, atëherë do të rishqyrtohet çështja. Ku është racizmi apo fashizmi në këtë çështje?”

“Mjekët pa Kufi” thonë se realisht shumica e fëmijëve refugjatë janë të vaksinuar:

“Pjesa më e madhe e fëmijëve refugjatë janë të vaksinuar dhe në veçanti fëmijët e moshës shkollore janë të gjithë të vaksinuar ndaj sëmundjeve të transmetueshme. Sinqerisht, nuk mendoj se vuajnë nga ndonjë gjë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre grekë dhe vetë fëmijët e mi. Prandaj mendoj se duhet të trajtohen njëlloj si fëmijët grekë, përsa i përket aspektit të shkollimit.”

Në Greqi llogaritet të kenë ngecur rreth 60 mijë refugjatë dhe emigrantë, të cilët janë strehuar në kampe të vjetra ushtarake, fabrika të braktisura, si dhe në një kompleks të rrënuar sportiv që u përdor për Lojërat Olimpike të Athinës, në vitin 2004.

XS
SM
MD
LG