Lidhje

Rritet numri i refugjatëve në Greqi


Agjencia e Refugjatëve e OKB-së njofton se në Greqi kanë shkuar nga Turqia më tepër se gjysëm milioni refugjatë dhe emigrantë, pas një udhëtimi plot rreziqe nëpër Detin Mesdhe:

Agjencia e refugjatëve e OKB-së njofton për një rritje të madhe të numrit të të ardhurve në Greqi, si rezultat i një përpjekjeje të minutës së fundit nga refugjatët dhe emigrantët për të hyrë në Europe para ardhjes së dimrit, kur kalimi i detit me barka është i pamundur.

Por zëdhënësja e organizatës UNHCR, Melissa Fleming, paralajmëron se ky numër i madh njerëzish i ka shtuar tensionet në ishujt e vegjël grekë.

Ajo thotë se mbi 27,500 njerëz në këta ishuj janë duke pritur për t'u regjistruar, apo transportuar për në Greqinë kontinentale.

Ndërkohë, turmat e njerëzve janë duke u shtuar dhe ka patur shpërthime të dhunës sporadike, ndërsa objektet ekzistuese të pritjes së emigrantëve nuk i kanë mundësitë për regjistrimin, marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe kryerjen e procedurave të nevojshme për këtë grup të madh njerëzish:

“Është shumë e rëndësishme që të krijohen kushtet e përshtatshme për pritjen e emigrantëve. Pa këtë elemet të nevojshëm, programi për risistemimin e tyre, për të cilin u ra dakord nga vendet europiane në shtator mund të dështojë. Secili prej këtyre sistemeve nuk mund të funksionojë i vetëm,"- thotë zonja Fleming.

Bashkimi Europian ka rënë dakord të shpërndajë 160,000 refugjatë mes vendeve anëtare, por vetëm 19 refugjatë janë rilokuar.

Zonja Fleming thotë se kufijtë përgjatë rrugëve ballkanike janë rihapur. Ajo thotë se UNHCR ka dhënë atyre ndihmën që ka mundur, si ushqime, ujë dhe batanije për refugjatët e bllokuar në kufijtë Serbi-Kroaci dhe Kroaci-Slloveni:

“Njerëzve i ka hyrë shiu në palcë. Ka qenë ftohtë, kushtet e tyre janë shumë të këqija. Ky është një lloj treguesi për muajt e ardhshëm, kur do të jetë edhe më ftohtë dhe gjendja e këtyre njerëzve do të jetë edhe më e keqë."

Zonja Fleming thotë se kontrabandistët e dinë se biznesi i tyre mund të mbyllet në javët e ardhshme. Prandaj, thotë ajo, ata janë duke ofruar çmime më të ulëta për kalimin e Mesdheut dhe po i mbushin me më shumë njerëz barkat e vogla, duke i shtuar më tej rreziqet.

UNHCR njofton se 19 persona kanë humbur jetën në 9 ditët e fundit në pesë incidente të ndryshme, ndërsa kalonin detin nga Turqia për në Greqi.

XS
SM
MD
LG