Lidhje

Kryeministri grek, takim i ngutshëm me aleatët


Kryeministri i Greqisë Antonis Samaras ka thirrur për sot një takim të ngutshëm me aleatët e koalicionit ndërkohë që çështja e mbylljes së televizionit shtetëror ERT kërcënon të rrëzojë qeverinë.

Zoti Samaras do të takohet me udhëheqësit e partive më të vogla socialiste dhe majtiste të moderuara të koalicionit, të cilat e kundërshtojnë fuqimisht mbylljen ERT-së dhe kanë kërkuar rihapjen e saj të menjëhershme dhe të plotë.

Ndërkohë, partia kryesore e opozitës, Syriza, pritet të mbajë një tubim në sheshin qendror Sintagma për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Por politikanë të tjerë këshillojnë kundër hapave për rrëzimin e qeverisë, e cila të martën e kaluar sakrifikoi papritur televizionin shtetëror si pjesë e masave të saj të ashpra të shkurtimeve buxhetore.

Po sot, agjencia Moody e vlerësimit të kreditit, paralajmëroi se prishja e konsensusit politik dhe mangësitë në programin e privatizimit mund t'i kushtojnë Greqisë një tjetër rënie në klasifikimin e kreditit.
XS
SM
MD
LG