Lidhje

Greqia shlyen këstin e parë të huasë së FMN-së


Alexis Tsipras, Janis Sturnaras (Reuters)
Alexis Tsipras, Janis Sturnaras (Reuters)

Guvernatori i bankës qendrore të Greqisë thotë se vendi nuk ka asnjë problem përsa i përket kapitalizimit të bankave apo rrjedhjes së depozitave. Qeveria greke ka thënë se do t'i bëjë pagesat, por ajo përballet me një rënie të madhe të të ardhurave nga taksat, ndërkohë që ndihmat financiare kanë mbetur të bllokuara.

Greqia shleu sot këstin e parë të një kredie të Fondit Monetar Ndërkombëtar, thanë burime të qeverisë.

Pagesa prej 310 milion euro u bë në afatin e caktuar, megjithë vështirësitë e vendit për të mbuluar nevojat e veta për financim, tha një burim i qeverisë.

Qeveria e sapozgjedhur e Kryeministrit Aleksis Tsipras këtë muaj duhet t'i paguajë gjithsej FMN-së 1.5 miliard euro, gjatë një periudhe prej dy javësh, duke filluar nga dita e sotme.

Qeveria ka thënë se do t'i bëjë pagesat, por ka pasur një pasiguri në rritje për rezervat e vendit në para, pasi qeveria përballet me një rënie të madhe të të ardhurave nga taksat, ndërsa ndihma e huadhënësve të BE-së dhe FMN-së mbetet e bllokuar derisa Athina të ketë përfunduar reformat që ka premtuar.

Kreu i bankës qendrore të Greqisë, Janis Sturnaras, u takua sot me Kryeministrin Tsipras për ta informuar mbi vendimet e Bankës Qendrore Evropiane një ditë më parë për të filluar programin e shtypjes së parave.

Zoti Sturnaras u tha gazetarëve se bankat greke janë të kapitalizuara mjaftueshëm dhe nuk kanë probleme me rrjedhjen e depozitave.

"Për bankat greke ka mbështetje të plotë, nuk ka absolutisht asnjë rrezik. Bankat janë kapitalizuar në mënyrë të mjaftueshme, dhe likuiditeti i tyre është i sigurt," tha Zoti Sturnaras.

"Është shumë e rëndësishme që takimi tjetër i Eurogroupit të përfundojë me sukses dhe ne po punojmë për këtë. Kryeministri dhe ekipi i tij financiar më siguruan se në tre ditët e ardhshme ata do të punojnë pa u lodhur, në mënyrë që të hënën të ketë një rezultat pozitiv," u tha Zoti Sturnaras gazetarëve.

Athinës i duhet të paguajë edhe tre këste të tjera, më 13, 16 dhe 20 mars, si pjesë e shlyerjes së huasë së FMN-së për këtë muaj.

Greqia, nevojat e së cilës janë rreth 4.5 miliardë euro në muaj, duke përfshirë pagat dhe pensionet që kapin 1.5 miliardë euro, nuk pritet të marrë ndonjë ndihmë financiare para se të përfundojë shqyrtimi nga huadhënësit i reformave të kërkuara si shkëmbim për paketën e shpëtimit që i është ofruar asaj.

XS
SM
MD
LG