Lidhje

Greqi: Përfundon greva njëjavore e kamionistëve

  • Zëri Amerikës

Kamionistët grekë u kthyen sot në punë pas një greve 7 ditëshe për të protestuar kundër masave të reja shtrënguese financiare të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Qeveria i kishte urdhëruar kamionistët të ktheheshin në punë ndërkohë që greva shkaktoi çrregullime të mëdha në furnizimin me karburant dhe me sende ushqimore.

Çisternat u panë të hynin e të dilnin sot nga rafineria pranë Athinës.

Shumica e stacioneve të benzinës rifilluan punën normalisht gjatë fundjavës kur qeveria filloi të merrte në kontroll automjetet e grevistëve dhe të përdorte kamionët ushtarakë për të furnizuar aeroportet, spitalet dhe stacionet elektrike.

Dje pasdite, u bë e mundur që stacionet e benzinës në Athinë dhe në Selanik të furnizoheshin plotësisht me karburant ndërsa rafineritë qendruan të hapura ditë e natë për të garantuar furnizimet në të gjithë vendin.

Njerëzit shpreheshin sot të lehtësuar që greva mbaroi.

"Ishte diçka pozitive që greva përfundoi, Ishte gjë e mirë për të gjitha bizneset e tjera, për turizmin e të tjerët,” thotë një pensionist.

Megjithatë, disa njerëz thanë se i kuptonin arsyet e protestës së kamionistëve.

Greva shkaktoi çrregullime të mëdha në furnizimin me karburant dhe me sende ushqimore si dhe detyroi mijra turistë të shtynin planet për turizëm në Greqi.

Policia shoqëroi disa automjete furnizmi nga frika se mos kamionistët hakmerreshin. Disa kamionistë njoftuan se ishin frikësuar nga kolegët e tyre grevistë.

Qeveria njoftoi dje se nuk do ta ndryshonte planin e saj për ta hapur profesionin e kamionistit edhe për punonjës që nuk ishin anëtarë të sindikatave, megjithë kundërshtimet e grevistëve, të cilët thonë se kjo do të dëmtonte perspektvën e tyre.

Hapja e profesioneve të mbyllura është një ndër kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët i dhanë Greqisë kredi emergjente në shumën 143.5 miliard dollarë.

Qeveria ka thënë se do të diskutojë mundësinë për të dëmshpërblyer kamionistët të cilët paguajnë mijra euro për të marrë një liçencë.

XS
SM
MD
LG