Lidhje

Operacioni Poseidon synon sigurimin e kufijve të BE-së me Turqinë

  • Henri Rixhuell
  • Zëri Amerikës

Operacioni Poseidon synon sigurimin e kufijve të BE-së me Turqinë

Operacioni Poseidon synon sigurimin e kufijve të BE-së me Turqinë

Ndërkohë që qindra mijëra imigrantë të paligjshëm hyjnë në Evropë çdo vit, vendet e Bashkimit Evropian po bashkojnë forcat për të siguruar kufijtë e bllokut. Oficerët e policisë nga i gjithë kontinenti kanë arritur në Greqi për fillimin e Operacionit Poseidon, që synon sigurimin e kufijve të BE-së me Turqinë, përmes së cilës kalojnë imigrantët.

Është mesnatë në kufirin Greqi-Turqi. Një ekip policësh austriakë dhe grekë përdorin kamera termale për të dalluar imigrantët që përpiqen të hyjnë ilegalisht në Evropë.

Ky kufi dikur ndante dy vende në luftë me njerio tjetrin. Por tani që Greqia është pjesë e Bashkimit Evropian, kufiri greko-turk ndan BE-në nga vende të tjera jo-anëtare. Rreth 10 mijë njerëz, shumica nga Afrika e Veriut dhe Azia e Jugut hyjnë ilegalisht çdo muaj.

Qeveritë evropiane po bashkëpunojnë për të ndalur imigracionin e paligjshëm. Në kuadër të organit koordinues të quajtur Fronteks, BE-ja po dërgon oficerë për të ndihmuar Greqinë të sigurojë kufirin.

Shumë imigrantë notojnë përmes lumit Evros mes Turqisë dhe Greqisë. Të tjerë provojnë rrugë më të rrezikshme.

Në pikat e kalimit në Kipi, oficerët përdorin teknologjinë e fundit për të gjetur imigrantët që fshihen në mikrobuzë dhe kamionë.

Pranë pikës kufitare ndodhet një vargan automjetesh të sekuestruara. Secili prej tyre ka një histori. Rojet kufitare patën dyshime për pasagjerët dhe filluan kontrollin.

“Këtu duhet të ishte një rezervuar uji, por kishte sipërfaqe të dyfishtë. Zbuluam së bashku me policinë se diçka nuk ishte në rregull. Pastaj, hapëm një vrimë që kalonte në anën tjetër dhe gjetëm 6 persona të fshehur,”- thotë roja.

Pasi kapen imigrantët, oficerët e Fronteksit i marrin në pyetje për të mësuar mbi rrjetet që përdorin trafikantët. Oficeri danez Majkëll Ekman:

“Kam marrë njerëz në pyetje prej 10 vjetësh, dhe ata thonë, “na kanë fshehur në kamion apo anije dhe kemi ecur nëpër Turqi,” dhe ne i themi “na tregoni historinë e vërtetë.” Pastaj kur e sheh, e kupton se kjo është e vërtetë. Ata me të vërtetë që transportohen si kafshët. Nganjëherë disa fitojnë shumë para në këtë mënyrë.”

Në portin grek të Pireut, jashtë Athinës, Fronteksi ka hapur një zyrë për numrin e madh të imigrantëve që vijnë në këtë rajon, dhe për të ndaluar ata që përpiqen të hyjnë në Greqi përmes portit.

Kreu i organizatës, Ilka Laitinen, thotë se imigrantët nga vendet si Maroku, Algjeria dhe edhe Afganistani përpiqen me të gjitha mënyrat të hyjnë në Greqi.

“Tani është gjithnjë e më e lehtë të fluturosh nga vendet e Afrikës veriore në Turqi, dhe Stambolli është vendi ku udhëtojnë shumë kompani ajrore me çmime të ulëta, dhe këto fluturime janë gjithmonë plot,”- thotë ajo.

Fronteksi thotë se ka sukses. Megjithatë, operacionet e reja nuk ka të ngjarë të dekurajojnë shumë prej imigrantëve që rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në brigjet e Evropës.

XS
SM
MD
LG