Lidhje

Komuniteti greko-amerikan ndjek me shqetësim zhvillimet në Greqi

  • Penelope Poulou

Paketa prej afro 1 trilion dollarësh në përgjigje të krizës financiare greke nuk duket se ka eliminuar luhatjet e tregut, po ashtu nuk ka shlyer nga kujtesa demonstratat e dhunshme të javës së kaluar në Athinë, në të cilat qindra mijëra vetë mbushën rrugët për të protestuar kundër shkurtimeve në shpenzimet qeveritare. Këto zhvillime janë përcjellë nga shtypi në të gjithë botën. Këtu në Shtetet e Bashkuara, komuniteti greko-amerikan i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet:

Në lagjen që njihet si “Qyteti Grek” të qytetit Baltimorë të Merilendit, të duket sikur ke ardhur në Greqinë e 40 vjetëve më parë. Pronarët e dyqaneve i sheh të ulur në sokakët e bizneseve, në flladin e ngrohtë të pranverës. Flamujtë grekë valëviten pranë atyre amerikanë dhe në kafenetë lokale, burrat e lagjes mblidhen për një lojë letrash dhe për debate mbi politikën në Greqi.

Këto ditë, debatet janë ndezur më tepër për shkak të krizës ekonomike në Greqi, të cilën ata thonë se e kanë parashikuar prej vitesh. Një prej tyre, Nikos, kontraktor për pishina, kritikon qeverisjen greke. Ai thotë se për dekada me radhë, administratat shtetërore në Greqi kanë uzurpuar të ardhurat nga popullata, pa u ndëshkuar. Tani, thotë ai, u ka ardhur koha të paguajnë për këto akte:

“Hajdutët duhet të ndëshkohen dhe financat e shtetit duhet të jenë transparente. Greqia duhet të krijojë një panel gjykatësish që duhet të hetojnë këdo dhe të zbulojnë si u shpenzuan kreditë kolosale qeveritare gjatë 30 vjetëve të fundit”.

Me Nikon janë dakord plot të tjerë. Por Johni thotë se një tjetër arsye është mungesa e etikës së punës që e ka sjellë Greqinë në këtë pikë:

“Grekët nuk kanë para, por marrin borxh për të shkuar për pushime. Të rinjtë e kalojnë gjithë ditën nëpër kafene. Imigrantët shqiptarë na punojnë arat, na ndreqin shtëpitë, dhe ç’është edhe më keq, grekët, të pasurit e të varfrit, shmangin taksat”.

Diskutimet vazhdojnë pa fund. Flitet për burokracinë greke, një sistem social-ekonomik që bazohet tek rryshfeti dhe një sektor të fryrë shtetëror që punëson pjesën më të madhe të klasës së mesme greke. Ky grup greko-amerikanësh është pesimist. Por të tjerë shprehen ndryshe. Basil Mosaidis është drejtori ekzekutiv i AHEPA-s, një shoqatë greko-amerikane me seli në Uashington. Ai thotë se nuk duhet humbur besimi tek grekët kaq shpejt:

“Mendoj se grekët janë një komb vital. Ata janë të arsimuar. Ata nuk po gënjejnë veten me idenë se çdo gjë është në rregull. Grekët e kanë të qartë se çfarë sfidash kanë përpara. Në çdo shoqëri, media përqendrohet tek ata që ankohen, dhe jo tek pjesa më punëtore që kontribuon për shoqërinë për ditë”.

Protestat që filluan si kundërshti ndaj shkurtimit të shpenzimeve qeveritare dhe korrupsionit në qeveri, u shndërruan më 5 maj në vdekjeprurëse, kur u qëllua me shishe benzine një bankë. Kjo ngjarje njollosi një demonstrim që deri atëherë ishte konsideruar si një revoltim i arsyetueshëm publik, shpjegon Dr. Harris Mylonas, pedagog në Universitetin Xhorxh Uashington.

“Dhuna nuk është pjesë e politikës dhe sa herë që kanë ndodhur gjëra të tilla në të kaluarën, qeveria greke i ka dënuar hapur”.

Por Dr. Mylonas thotë se në këtë rast, anëtarët e partive opozitare greke zgjodhën një qëndrim më të butë ndaj dhunës, duke i cilësuar fatalitetet si ‘dëme anësore’.

Megjithatë, përçarjet politike, trazirat ekonomike dhe pesimizmi i momentin në Greqi nuk e kanë mpakur dashurinë dhe mallin e këtij komuniteti greko-amerikan për atdheun e vjetër:

“Kam vëllezër e motra në Greqi, kam nipër e mbesa. Pas pak vjetësh shpresoj të kthehem të jetoj me ta. Grekët janë njerëz apasionantë, mikpritës. Ata nuk janë terroristë. Përse arritën deri këtu? Është faji i klikës politike”.

Qofshin optimistë apo pesimistë, greko-amerikanët mbeten mbi të gjitha të lidhur ngushtë dhe me zemër me ato që ndodhin në atdheun e tyre.

XS
SM
MD
LG