Lidhje

Grekët, marrëveshje me huadhënësit


Shumica e grekëve duan që Athina të arrijë një kompromis me huadhënësit ndërkombëtarë për të shmangur daljen nga Eurozona. Ky është rezultati i një ankete të fundit, në prag të një takimi të sotëm të ministrave evropianë të financave për të diskutuar paketën e reformave propozuar nga qeveria greke. Ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo do që Greqia të qëndrojë në Eurozonë.

Rezultatet e anketës dolën sot para takimit të ministrave të financave në Bruksel për të diskutuar reformat e propozuara nga Greqia javën e kaluar në përpjekje për të bindur partnerët evropianë për të autorizuar më shumë fonde dhe për të parandaluar falimentimin e bankave.

Kreu i grupit të ministrave të financave të Eurozonës ka thënë se plani i reformave ishte “i vlefshëm” por duhet të analizohet nga kreditorët e vendit.

Rreth 69.6 për qind të grekëve thonë se qeveria e re majtiste e vendit duhet të përpiqet për një “kompromis të denjë” për zgjidhjen e krizës, sipas një ankete të gazetës Efimerida Ton Syntakton.

Pensionisti 76 vjeçar Nikos Trikalitis nuk pret ndonjë rezultat pozitiv:

“Nuk jam i kënaqur sepse veprimet e tyre nuk janë të matura dhe kjo tregon një farë amatorizmi”.

Sotiris Kolitiris, pronar i një dyqani shprehu gjithashtu pakënaqësi me qeverinë e kryeministrit Alexis Tsipras, duke thënë se ajo po lëviz ngadalë duke shkaktuar pasiguri tek komuniteti i biznesit:

“Prisja rezultate më të shpejta prandaj nuk jam i kënaqur, veçanërisht për ne biznesmenët që i mbështetëm. Për shembull, ne prisnim që të realizohej diçka me skemën e re të taksave, që po vonohet dhe asgjë nuk është bërë. Nuk e dimë nëse do të bëhet. Shpresoj që së shpejti të ketë një zgjidhje”.

Të njëjtin ton ka edhe Vassilis, një biznesmen 34 vjeçar:

“Në vend që të hiqnin dorë nga plani i shpëtimit, ata nuk bënë asgjë. E kishin shansin dhe nuk bënë asgjë, nuk dëgjuan njeri”.

Por kishte edhe nga ata që e mbështetën qeverinë:

“Mendoj se po bëjnë të gjitha përpjekjet dhe i mbështes”.

Të pyetur nëse mendonin se Greqia do të falimentonte, 50.4 për qind e të anketuarve thanë “po” ndërsa 45.5 për qind thanë ky rrezik nuk ekziston. Dhe mbështetja për Syrizën vazhdon të jetë e fortë. Vetëm 27.4 për qind të të anketuarve donin që Greqia të refuzonte kompromisin, edhe nëse kjo do të nënkuptonte daljen nga Eurozona dhe kthimin tek përdorimi i Dhrahmisë.

Sot në Japoni, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do që Greqia të vazhdojë të qëndrojë në Eurozonë:

“E kam thënë disa herë dhe po e përsëris, se synimi ynë politik është që Greqia të qëndrojë në Eurozonë. Kemi vite që punojmë për këtë synim. Por medalja ka dy anë, nga njëra është solidariteti i partnerëve evropianë dhe nga tjetra gatishmëria për të zbatuar reforma dhe detyrime të tjera nga Greqia. Përsa i takon kësaj të fundit, është e qartë se kemi një rrugë të vështirë përpara”.

Megjithëse Greqia ka siguruar një marrëveshje të përkohëshme katër mujore me BE-në dhe FMN-në, qeveria duhet të bindë huadhënësit se plani i reformave është i realizueshëm.

XS
SM
MD
LG