Lidhje

Vazhdojnë bisedimet për borxhin grek


Kryeministri grek Alexis Tsipras filloi sot një raund kritik bisetimesh me kreditorët në Bruksel me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje për të shmangur falimentimin. Të martën Greqia duhet t’i paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar një këst prej 1.6 miliard dollarësh. Ndërkohë shqetësimet për mosarritjen e një marrëveshjeje mbi borxhin grek shkaktuan rënien e aksioneve greke dhe atyre evropiane.

Aksionet greke ranë sot në Athinë mes shqetësimeve se vendi nuk do të jetë në gjendje t’i paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar këstin prej 1.6 miliard dollarësh deri të martën, më 30 qershor.

Indeksi bankar grek ra 5.1 për qind.

Aksionet evropiane shënuan rënie për dy ditë me radhë. Investitorët po tregohen të kujdesshëm, të shqetësuar nga një mospagim i mundshëm i borxhit nëse negociatat me kreditorët nuk arrijnë përparim.

Dështimi për të shlyer borxhin ndaj FMN-së të martën mund të dëmtojë bankat dhe kapitalin, dhe mund të pasohet me një dalje nga eurozona.

Kursimtarët grekë kohët e fundit kanë zbrazur llogaritë e tyre bankare, por bankierët thonë se tërheqja e parave është pakësuar ditët e fundit për shkak të pritshmërive për arritjen e një marrëveshjeje me huadhënësit.

Shumë grekë thonë se nuk janë të shqetësuar.

"Jo, nuk i kam nxjerrë paratë nga banka. Të gjitha i kam lënë në bankë", thotë Ksanthi Kozanita.

"Bankat nuk do të mbyllen dhe Greqia nuk do të falimentojë", thotë ky banor.

Banka Qendrore Evropiane miratoi sot një fond emergjent që Athina ka kërkuar për bankat e saj, tha një burim bankar pa zbuluar shumën e fondit.

Bankat greke varen nga fondet e bankës qendrore për të vazhduar punën, pas tërheqjes së depozitave që arrinin në më shumë se një miliardë euro në ditë në fund të javës së kaluar.

Shumë banorë të Athinës nuk duken të shqetësuar nga kjo.

"Nuk kam para në këtë moment, por edhe sikur të kisha nuk do ta lejoj veten të alarmohem ose të shqetësohem", thotë Florita Gjerasimidu.

Kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë sot i dhanë Athinës një ultimatum për të dalë me një plan të besueshëm reformash. Nëse qeveria greke nuk ndërmerr reforma, ata do t’ia paraqesin propozimet e tyre për miratim ministrave të financave të eurozonës, tha një zyrtar i eurozonës.

Ndër çështjet më të rëndësishme të pazgjidhura janë kërkesat greke për ristrukturimin e borxhit, reformimi i sistemit të kushtueshëm të pensioneve dhe fokusi i Athinës për rritjen e taksave kundrejt shkurtimit të shpenzimeve.

Propozimet greke përfshijnë rritjen e taksave mbi konsumin, bizneset dhe të pasurit, si dhe rritjen e kontributeve për pensionet për të përmbushur objektivat e buxhetit.

XS
SM
MD
LG