Lidhje

Fillon lotaria e Green Card-it për vitin 2014


Lotaria u ofron shtetasve të vendeve të ndryshme mundësi emigracioni në Shtetet e Bashkuara

Çdo vit miliona vetë mbushin formularët me shpresën se do të fitojnë statusin e banorit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara përmes asaj që njihet si “Lotaria e Green Card-it”. Dje filloi zyrtarisht procesi i aplikimit për Green Card-in 2014.

Roozbeh Mazhari është ndër aplikantët me fat. Ky gazetar iranian erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, pasi fitoi lotarinë e Green Card-it.

“Po bëja shërbimin ushtarak në atë kohë, kur motra më dërgoi fjalë që t’i telefonoja menjëherë. E mora në telefon dhe më njoftoi se kisha fituar. U gëzova shumë. Kur shkova në shtëpi dhe pashë dokumentat që më lejonin të largohesha nga Irani, festova për 7 ditë rresht”.

Periudha e aplikimit për lotarinë e vitit 2014 filloi dje në mesditë dhe vazhdon deri në mesditën e 3 nëntorit. Afro 8 milionë vetë aplikuan vjet. Ka gjasa që sivjet të ketë të njëjtin vëllim kërkesash. Vetëm 55 mijë vetë zgjidhen me lotari.

Naeim Karimi lindi në Iran dhe ka aplikuar 3 herë në lotarinë e Green Card-it. Ai foli për Zërin e Amerikës me anë të Skype-it, disa orë pas fillimit të lotarisë:


“Më duket se po më buzëqesh fati. Kam pasur fat këto muajt e fundit. Mbarova studimet universitare. U martova dhe fillova punë. Po shpresoj se fati vjen katër herë radhazi”.

Procesi për lotarinë e Green Card-it është zhvilluar krejtësisht në formë elektronike që nga aplikimi për vitin 2012. Kandidatët mbushin formularë elektronikë dhe njoftohen kur kontrollojnë faqen elektronike në maj. Karin King është zëdhënëse e Zyrës së Vizave në Shtetet e Bashkuara.

“Jemi përpjekur të krijojmë një sistem ku aplikanti të bëjë gjithçka në mënyrë të pavarur, pra të mos ketë nevojë për një person ndërmjetës apo të paguajë para për të aplikuar. Ajo që kërkohet nga aplikantët është të kontrollojnë vetë në faqen përkatëse nëse kanë fituar lotarinë”.

Lotaria shërben për të nxitur imigracionin nga vende që historikisht kanë përfaqësim të ulët në përbërjen etnike të Shteteve të Bashkuara. Prandaj shtetas nga Brazili apo Bangladeshi nuk mund të aplikojnë më. Por për miliona vetë nga vende që kanë të drejtë aplikimi, lotaria krijon mundësinë për një jetë të re.

“U desh një kohë e gjatë. M’u deshën rreth pesë vjet për të kuptuar se ka ardhur koha të parashikoj se ku dua të jem pas dhjetë vjetësh. Dhe tani, pasi kanë kaluar 12 vjet, jam shumë i lumtur që mora Green Card-in. Ma ka ndryshuar plotësisht jetën”.

Marrë nga www.dvlottery.state.gov

Faqja e lotarisë është www.dvlottery.state.gov. Aplikantët do të mësojnë nëse janë zgjedhur duke filluar nga 1 maj i vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG