Lidhje

Vëzhgime mbi kreshtën koralore botërore


Vëzhgime mbi kreshtën koralore botërore
Vëzhgime mbi kreshtën koralore botërore

Shkencëtarët e Administratës Kombëtare të Atmosferës dhe Oqeaneve, NOAA, bëjnë të ditur se kreshta koralore e botës që për vite me radhë është kërcënuar nga çngjyrosja dhe humbja për shkak të ndryshimeve klimatike, përfshi edhe kushtet në oqean, mund të duket ndryshe këtë vit.

Për rreth tri dekada, shkencëtarët e marinës dhe mjedisit kanë lëshuar thirrje paralajmëruese për shkatërrimin e shpejtë të kreshtës koralore nëpër botë. Këtë herë, parashikimet nga Administrata Kombëtare e Atmosferës dhe Oqeaneve tregojnë se temperaturat më të ulta të ujit krijojnë kushtet që çngjyrosja të ndodhë këtë vit në ndonjë vend të botës.

Çngjyrosja e koraleve shkaktohet nga një sërë faktorësh, si kimikatet, pesticidet dhe ndotës të tjerë që përfundojnë në det nga derdhja e ujrave të lumenjve. Por shkaku kryesor është ngrohja e ujit të oqeaneve që është rezultat i drejtpërdrejtë i temperaturave të larta dhe ngritjes së nivelit të gazit karbonik në atmosferë. Mark Eakin është bashkërendues i programit të NOAA-s për vëzhgimin e kreshtës koralore.

“Çngjyrosja e koraleve ndodh kur humbasin alget mikroskopike që jetojnë brenda tyre dhe që u japin pjesën më të madhe të ngjyrës. Në këtë fotografi ëshët një korale me ngjyrën natyrale dhe një e çngjyrosur”.

Çngjyrosja është e lehtë të identifikohet, koralet duken të zbardhura, si kjo kreshtë që është fotografuar vitin e kaluar në Tajlandë. Disa nga koralet mund të përtërihen dhe marrin përsëri ngjyrën e tyre natyrale, por disa janë në gjendje kritike dhe ka shumë të ngjarë të vdesin.

Eakin shpjegon se nga fundi i vitit të kaluar, nëpër botë ndodhi në çngjyrosje masive e koraleve dhe NOAA po mbledh tani të dhëna për shkallën e zhdukjes së tyre. Në vitin 2005, 90 përqind e koraleve në Pellgun e Karaibeve ishte çngjyrosur dhe 60 përqind u zhduk.

“Kjo është një fotografi e marë në Belize para çngjyrosjes masive në vitin 1995. Kjo është çngjyrosja që ndodhi në vitin 1998. Kjo u pasua me vdekjen e koraleve që u mbuluan me alge dhe sfungjer, një sistem krejt tjetër”.

Në muajin shkurt, një koalicion prej më shumë se 20 grupesh të mbrojtjes së mjedisit botoi studimin me titull “Vështrim për kreshtat koralore në rrezik”. Administratorja e NOAA-s, Xhejn Lubçenko, jep rezultatet kryesore të raportit.

“Rreth 75 përqind e kreshtës koralore të botës është tani e kërcënuar nga faktorë lokalë e ndërkombëtarë”.

Raporti parashikon se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për të eliminuar këta faktorë, 90 përqind e koraleve të botës do të jetë e kërcënuar në një hark kohor prej më pak se 40 vjetësh.

Shkencëtarët e NOAA-s e përshkruajnë kreshtën koralore si “pyllin tropikal të detit” dhe vënë në dukje se këto ekosisteme delikate të marinës kanë funksione tepër të rëndësishme si mbrojtja e bregdetit, ruajtja e kolonive të peshqve dhe ekoturizmi që llogaritet në 375 miliardë dollarë çdo vit. Nëse parashikimet rezultojnë të sakta, kreshta koralore do të mbijetojë, të paktën edhe për një vit, duke i krijuar kështu botës përreth edhe një vit tjetër përfitimi.

XS
SM
MD
LG