Lidhje

"Republic of spin”: një histori nga brenda e presidencës amerikane

  • Laura Konda

"Përpjekja për të përpunuar opinionin publik dhe për të krijuar një imazh të caktuar, ka qenë prej vitesh një objektiv politik i presidentëve amerikanë", - thotë historiani David Greenberg në librin e tij “Presidenca dhe Përpunimi i Opinionit”.Libri i hedh një vështrim 115 viteve të fundit të politikës amerikane, duke filluar me presidentin Teddy Roosevelt në fillim të shekullit të 20-të e deri tek presidenti Barak Obama. Autori Greenberg e prezantoi librin në një takim të zhvilluar këto ditë në Qendrën "Woodrow Wilson" në Uashington.

Për t’i bërë të njohura politikat e tyre dhe në përpjekje për të krijuar një imazh të caktuar, udhëheqësit politikë komunikojnë me publikun dhe me votuesit e tyre. Shpesh ky komunikim bëhet me synimin për të përpunuar opinionin publik. Si ka evoluar në vite ky lloj komunikimi me publikun? Kjo është tema që trajton libri "Republic of spin - një histori nga brenda e presidencës amerikane", me autor historianin David Greenberg.

Në këtë vit zgjedhjesh presidenciale në SHBA, historiani David Greenberg e çon lexuesin përmes një rrëfimi mbresëlënës, në prapaskenat e Shtëpisë së Bardhë, historikisht rezidenca e Presidentit amerikan. Ai na njeh me mjetet dhe teknikat e përdorura nga presidentët për të ndërtuar imazhin dhe për të dhënë mesazhin e tyre tek votuesit.

Por çdo të thotë kjo përpjekje për të përpunuar opinionin për demokracinë amerikane? A lidhet kjo me nevojënpër ta informuar, apo për ta mashtruar atë? Autori Greenberg përpiqet të sqarojë disa nga përgjigjet, duke sjellë shembuj nga historia e presidentëve amerikanë. Greenberg thotë se përpunimi i opinionit është një mekanizëm që realizohet me një numër mjetesh, apo teknikash, që përdoren nga një rreth i caktuar njerëzish të afërt me presidentin.

Sipas autorit, përpjekja për të përpunuar opinionin publik dhe për të krijuar një imazh të caktuar për presidentin, ka qenë prej vitesh një objektiv i Zyrës Ovale:

Libri i hedh një vështrim 115 viteve të fundit të politikës amerikane dhe përmes shembujsh dhe faktesh, autori arrin në përfundimin se kjo prirje ka ardhur vazhdimisht duke u shtuar. Ai e fillon rrëfimin e tij me presidentin Theodore Roosevelt në vitin 1901, dhe e vazhdon deri tek presidenti aktual, Barak Obama, i cili përdor Twitterin si mjet komunikimi me publikun".

“Një nga presidentët më të rëndësishëm në historinë amerikane, Franklin Roosevelti, e ka përdorur mekanizmin e përpunimit të opinionit, p.sh. kur fliste për sistemin bankar, ose për programin e ndihmave për Britaninë dhe vende të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai e kuptonte se fjalimet e drejtpërdrejta ndaj publikut amerikan, do ta ndihmonin për të siguruar mbështetje për politika të caktuara... Stili i ri që ai krijoi, i bënte përshtypje njerëzve; ata krijuan një afeksion të veçantë për Rooseveltin dhe politikat e tij”. - thotë autori.

Një tjetër president që e përdori me mjeshtëri mekanizmin e përpunimit të opinionit, ishte John Kennedy, i cili ishte presidenti i parë amerikan që filloi të jepte konferenca për gazetarë.

“Një diçka të re që solli presidenti Kenedi ishin konferencat e shtypit në Shtëpinë e Bardhë. Askush nuk e bëri këtë më mirë se ai. Ekzistonte frika se në se konferencat e shtypit do të ishin të hapura për publikun, do të humbiste sensi i intimitetit që ekzistonte për presidentët deri në atë kohë; por Kenedi ishte gati ta sakrifionte atë, ndërsa fitoi mundësinë për të komunikuar me publikun më gjerësisht; në këto komunikime ai shfaqej me humor, i çlirët, spontan dhe plot mendim. Pikërisht këto veti e bënin atë më të pëlqyeshëm për publikun. Ai dinte t'i shfrytëzonte këto seanca me pyetje-përgjigje në favorin e tij. Një punë të mirë në këtë drejtim bënte edhe Ronald Regani, apo Bill Clintoni në debatet presidenciale,"- thotë Greenberg.

Zoti Greenberg thotë se disa presidentë amerikanë kanë patur aftësinë për ta përpunuar opinionin publik në favor të axhendave të tyre, por disa të tjerë nuk kanë qënë te sukseshëm. Si shembull ai përmend presidentin Herbert Hoover, i cili edhe pse njihej si një komunikues shumë i suksesshëm, gjatë viteve të Depresionit të Madh dështoi në përpjekjet për ta bindur publikun për politikat e tij ekonomike.

Një tjetër rast është ai i Presidentit Lindon Johnson, me mesazhin para fillimit të luftës në Vietnam, apo ai i presidentit George Bush, i cili dështoi në përpjekjet për ta bindur popullin amerikan për nevojën e luftës në Irak, edhe pse krijoi grupin e punës për Irakun...

Autori David Greenberg arrin në përfundimin se përpjekja për të përpunuar opinionin publik ka qenë kurdoherë pjesë e politikës. Presidentët, apo kandidatët presidencialë japin argumentet e tyre për çështje të ndryshme, por një opinion publik i edukuar me rregullat e reja të mediave masive, është i përgatitur dhe ka aftësinë për t'i gjykuar ata.

I pyetur për fushatën e tanishme presidenciale, historiani David Greenberg thotë se ai gjen mjaft shembuj që lidhen me përpjekjet për të krijuar një imazh të caktuar të kandidatëve. Në fushatën aktuale, thotë ai, është folur vazhdimisht për popullaritetin e kandidatëve autentikë, të sinqertë, si Bernie Sanders të Partisë Demokrate dhe Donald Trump i Partisë Republikane:

"Ata duket se flasin sinqerisht për çështjet. Në librin tim, kur i hedh një vështrim së shkuarës, zbuloj se çdo politikan që ngjante autentik, në fakt nuk ishte plotësisht i tillë. Harry Truman psh, për të cilin thuhet se kishte stilin e tij, punonte me muaj të tërë për mënyrën e paraqitjes së fjalimeve të tij të rëndësishme. Pra edhe një stil shumë spontan në dukje, është arritur me shumë praktikë. Mendoj se e njëjta gjë ndodh edhe me Bernie Sandersin dhe Donald Trumpin..."

Por sa të suksesshëm do të jenë kandidatët e garës së tanishme presidenciale për të krijuar një imazh të besueshëm dhe të pëlqyer për publikun? Kjo mbetet të shihet në nëntor, në zgjedhjet e përgjithshme. Për "Ditarin", Laura Konda, Qendra "Wilson", Uashington.

XS
SM
MD
LG