Lidhje

Greenwald: Snowden ka dokumente për NSA-në


Edward Snowden mesa duket ka sekretet se si funksionon Agjencia e Sigurimit Kombëtar, gjë që do t’i jepte mundësi atyre që i lexojnë që t’i shpëtojnë përgjimit. Ky pohim vjen nga një gazetar që ka komunikuar me ish kontraktorin e agjencisë, i cili nxorri sekretet e agjencisë.

Glenn Greenwald, analist i gazetës “The Guardian” që komunikon vazhdimisht me Snowden dhe ishte i pari që publikoi informacionet sekrete të tij, i tha agjencisë Associated Press se ish analisti i sistemeve të Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, NSA ka “mijëra dokumenta” që përbëjnë “në thelb manualin e udhëzimeve për mënyrën e funksionimit të NSA-së”.

“Për të marrë dokumente që të provonin se ai po thoshte të vërtetën, atij iu desh të merrte edhe ato që përfshinin projekte shumë sensitive dhe të detajuara për mënyrën sesi funksionon NSA”, tha Greenwald në një intervistë në Brazil ku ai jeton.

Gazetari tha se dokumentet “do t’i jepnin mundësi atyre që i lexojnë që të kuptojnë me hollësi se si vepron NSA, dhe kjo do t’u jepte mundësi që t’i shpëtonin përgjimit, ose të kopjonin metodat”, tha 46 vjeçari Greenwald, një ish-avokat i së drejtës kushtetuese dhe civile, autor i tre librave ku përcjell idenë se qeveria ka shkelur të drejtat individuale në emër të mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Ai tha se intervista u bë rreth katër orë pas komunikimit të tij të fundit me Snowden, me të cilin ai tha se është në kontakt pothuajse çdo ditë. Greenwald i tha agjencisë AP se Snowden kishte këmbëngulur që informacioni i atyre dokumentave të mos bëhet publik.

Snowden u shfaq për herë të parë të premten, pas javësh qëndrimi në një aeroport të Moskës, dhe tha se ishte i gatshëm të ndërpriste nxjerrjen e sekreteve për programet amerikane të përgjimit nëse Rusia i jep azil të përkohshëm, derisa ai të mund të shkojë në Amerikën Latine.

Ai ka pasur oferta për strehim nga Venezuelë, Nicaragua dhe Bolivi, por meqenëse pasaporta amerikane i është hequr, e ka të vështirë të udhëtojë në vendin që mund të zgjedhë për azil. Greenwald thotë se Snowden vazhdon të ruajë qetësinë, pavarësisht nga situata në të cilën ndodhet.

“Nuk kam vënë re asnjë shenjë pendimi apo keqardhjeje apo ankthi lidhur me situatën në të cilën ndodhet. Sigurisht, ai është i tensionuar dhe i përqendruar në mirëqenien e tij afatshkurtër, por ai e kupton se ngjarjet mund të marrin një kthesë shumë të rrezikshme dhe e ka pranuar këtë mundësi”.

Gazetari tha se gjatë katër muajve të ardhshëm parashikon të vazhdojë të botojë artikuj të tjerë, mbështetur në dokumente të reja të Snowdenit.
XS
SM
MD
LG