Lidhje

Grekët drejt një force të re politike

  • Zëri Amerikës

Ndërsa mbi grekët rëndon kriza financiare që u ka kushtuar atyre pensionet dhe vendet e punës, shumë prej tyre po largohen nga politikanët që ata thonë se i lanë në baltë. Një tjetër forcë politike po përpiqet ta mbushë këtë zbrazëti me premtime për të "pastruar" vendin.

Anëtarët e "Agimit të Artë" me logon e partisë mbi shpinë, bëjnë fushatën në mbarë Greqinë. Ata ndalojnë të bisedojnë në kafene dhe dyqane, duke shpërndarë fletushka ku premtojnë siguri në lagjet e mbytura nga krimi dhe duke premtuar se nuk do të lejojnë imigrantë.

Kufijtë e Greqisë, duhen mbyllur me mina thonë ata, për të ndalur hyrjen e paligjshme të emigrantëve, që përbëjnë gati 90 për qind të gjithë imigracionit të Bashkimit Evropian.

Autoritetet llogarisin se rreth një milion emigrantë jetojnë në këtë vend me 11 milionë banorë. Duke shfrytëzuar ndjenjat populiste, anëtarët e Agimit të Artë kanë mbledhur donacione ushqimesh dhe veshjesh për grekët në nevojë, ndërsa premtojnë të bëjnë politikanët përgjegjës për krizën.

Grekët e zakonshëm janë duke luftuar me kushtet e vështira të kërkuara për marrëveshjet e kredisë të shpëtimit që e kanë shtyrë vendin në një vit të pestë të recesionit.

Ata po shfrytëzojnë pakënaqësitë me partitë që kanë dominuar politikën greke për dekada – konservatorët e partisë Demokracia e Re dhe socialistët e PASOK-ut.

"Kemi humbur shpresat, nuk kemi më besim tek PASOK-u apo Demokracia e Re. Ata na kanë detyruar të shpresojmë tek partia Agimi i Artë dhe partite e tjera të vogla," thotë Gjeorgjos Varxis, i cili jeton në qytetin e vogël bregdetar të Artemisës.

Krimi është shtuar, thotë ai dhe nuk ka vende pune ndërsa qeveria lufton me krizën e borxhit që ka shkurtuar pensionet dhe pagat dhe ka rritur taksat.

"Ata kanë humbur shpresat. Kjo është një votë e protestës. Ata gjejnë besimin tek Agimi i Artë, që do të hyjë në parlament dhe me të vërtetë do të shkundë sistemin", thotë Gjeorgjos Gjermenis, anëtar i këshillit politik të partisë, përgjegjës për ideologjinë. Ai po kandidon si anëtar i partisë Agimi i Artë në zonën e Athinës.

Partia "Agimi i Artë" drejtohet nga Nikolas Mihaloliakos, i cili fitoi një vend në këshillin e qytetit të Athinës në zgjedhjet lokale të vitit 2010 dhe tronditi grekët kur bëri një përshëndetje fashiste në paraqitjen e tij të pare atje. Ai e refuzon nofkën e neo-nazistit duke thënë se shumë prej baballarëve të tyre luftuan kundër gjermanëve gjatë pushtimit nazist të Greqisë.

Por ata nuk e fshehin admirimin e tyre për shumë nga politikat e Hitlerit, duke thënë se ai eliminoi papunësinë në Gjermani.

Popullariteti në rritje i kësaj partie ka alarmuar shumë njerëz.
Ndërsa disa pjesë të qendrës së Athinës po kthehen në lagje që u ngjajnë getove ku përdoruesit e drogës dhe vjedhjet janë ngjarje të zakonshme, shumë grekë kanë humbur besimin tek policia dhe mbështeten tek partia Agimi i Artë për mbrojtje.

"Ne jemi totalisht kundër emigrantëve të paligjshëm dhe e vërteta është se Franca ka probleme ndryshe nga Greqia. Për ne, këtu, situata është krejtësisht jashtë kontrollit." thotë Evgjenia Christu, kandidate e "Agimit të Artë".

Partia është fajësuar për sulme të egra ndaj emigrantëve. Megjithatë anëtarët e saj thonë se nuk kanë dijeni për incidente të tilla.

Komunitetet e imigrantëve janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar.

"Është shumë keq. Mund të imagjinoni një parti politike me armë, me thika që dalin në rrugë dhe bëjnë politikë? Kjo nuk është politikë. Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar ," thotë Javed Aslam, kreu i komunitetit pakistanez në Greqi, gjatë një demonstrate anti-raciste.

Partitë kryesore politike janë përpjekur të fitojnë përsëri votën e të djathtëve, duke e vënë imigracionin në krye të planeve të tyre politike. Ministri i Rendit Michalis Chrysohoidis ka premtuar të ndërtojë një qendër burgimi për 30,000 imigrantët e paligjshëm deri në vitin 2014.

Grupet e emigrantëve thonë se ka pasur një rritje të dhunës raciste kohët e fundit. Ketty Kehagjiolu, zëdhënësja e UNHCR-së në Athinë thotë se ekziston një prirje shqetësuese për sulme raciste kundër të huajve jashtë vendeve të BE-së, në një kohë kur paqëndrueshmëria ua bën më të lehtë grupeve ekstremiste të shfrytëzojnë situatën.

Në një apartament të vogël, imigranti Ahmad nga Pakistani po e merr veten pas goditjeve në kokë dhe në duar – rezultat i rrahjes një të dielë mbrëma nga një grup prej gati 25 personash të armatosur me shkopinj druri dhe shufra hekuri. Më pyetën nga ç’vend isha dhe pastaj më rrahën, thotë Ahmadi. Ai thotë se nuk ka folur me policinë për incidentin.

XS
SM
MD
LG