Lidhje

Grekët të përçarë, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet

  • Henry Ridgwell

Pak ditë e ndajnë Greqinë nga përsëritja e zgjedhjeve dhe sipas anketave rezulton se dy kandidatët kryesorë janë në një garë të ngushtë. Kriza ekonomike i ka përçarë grekët. Duket se ata nuk gjejnë gjuhën e përbashkët lidhur me rrugën më të mirë për të dalë nga kriza financiare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell njofton nga Athina se ngërçi politik po i thellon më tej përçarjet në vend:

Problemet në sektorin industrial nuk kanë ku të shkojnë më keq. Punëtorët e kësaj furnalte për çelikun kanë 200 ditë që janë në grevë.

Jorgos Sifonios është president i sindikatës së punëtorëve. Ai tregon letrat e solidaritetit që kanë marrë nga sindikata të tjera nga mbarë bota.
“Sindikata ka ndërmarrë veprime të përbashkëta që kanë ngritur në këmbë të gjithë klasën punëtore në Greqi. Greva jonë është bërë model i luftës që duhet të organizojnë punëtorët”.

Pronari i furnaltës pushoi nga puna 50 punëtorë vjet, me arsyetimin se kishte rënë kërkesa. Kompania nuk pranoi të jepte intervistë. Punëtorët thonë se prodhimi po rritet. Në mes të grevistëve është edhe Panajotis Papanikolau, i cili ka punuar në furnaltë për mbi 20 vjet. “Këtë radhë mendoj se pjesa më e madhe e punëtorëve do të mbështesin dhe votojnë për Syrizën, jo PASOK-un apo Demokracinë e Re, pasi Syriza mbështet punëtorët”.

Papunësia në Greqi arriti nivelin rekord prej 21.7 për qind në shkurt. Më shumë se gjysma e të rinjve janë pa punë.

Aleks Tsipras, udhëheqësi 37-vjeçar i Partisë Syriza, është zotuar të anulojë programin e shkurtimeve buxhetore që ka kërkuar me ngulm Bashkimi Evropian, në shkëmbim për ndihmat financiare.

Rezultatet e anketave të 1 qershorit tregojnë se si Syriza, ashtu edhe Partia Demokracia e Re, e cila mbështet programin e BE-së për ndihmat, gëzojnë nga 26 për qind mbështetje.

Anastasios Georgiadis është drejtor i agjencisë Kapa Research, që zhvilloi anketimin: “Bazuar në informacionin aktual, krijimi i qeverisë nuk duket më i lehtë këtë radhë se pas zgjedhjeve të 6 majit”.

Analistët thonë se kriza ekonomike e ka polarizuar klimën politike në Greqi. Nikos Kristodulu i firmës Merit Securities thotë se tregjet do të reagonin negativisht ndaj fitores së Syrizës. “Tregjet duan një qeveri më pro-evropiane, e cila do të zbatonte reformat dhe nuk do t’i kundërvihej marrëveshjes për ndihmë financiare”.

Banorët e Athinës mbushën këtë fund-javë plazhet për të shijuar motin e ngrohtë dhe për të harruar për pak orë krizën. Pas pak ditësh ata do të kthehen në qendrat e votimit, të vetëdijshëm se pas votës së tyre mund të shpërthejë një stuhi e re ekonomike.




XS
SM
MD
LG