Lidhje

Greqi, burgoset kreu i Agimit të Artë


Në Greqi, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë Agimi i Artë u burgos nën akuzat për drejtimin e një organizate kriminale.

Nikos Mikaloliakos u nxor sot paradite me pranga nga salla e gjyqit pas një seance që filloi një natë më parë. Disa nga përkrahësit e tij, përfshirë gruan dhe vajzën, qëndronin jashtë gjykatës duke thirrur në shenjë inkurajimi ndërkohë që ai merrej nga policia.

Mikaloliakos dhe pesë ligjvënësit e tjerë të Agimit të Artë u arrestuan javën e kaluar si pjesë e masave të autoriteteve kundër kësaj partie pas vrasjes së një muzikanti anti-fashist.

Katër ligjvënësit e tjerë janë akuzuar se i përkasin një organizate kriminale, por tre prej tyre janë liruar.

Agimi i Artë, me frymëzim nazist, është bërë partia e tretë më popullore e Greqisë, si pasojë e zemërimit të qytetarëve lidhur me krizën e borxhit. Por ajo ka humbur mbështetje për shkak të akuzave se ka sulmuar emigrantët dhe se ka vrarë muzikantin Pavlos Fyssas.
XS
SM
MD
LG