Lidhje

Pa rezultat bisedimet për Greqinë


Greqia dhe ministrat e financave të Bashkimit Evropian dështuan të arrijnë një marrëveshje për borxhet e Greqisë. Palët vazhdojnë të ruajnë qëndrimet e tyre ndërkohë që një takim tjetër do të mbahet javën e ardhshme.Bisedimet ndërmjet Greqisë dhe kreditorëve të saj të eurozonës u mbyllën pa sukses në orët e para të së enjtes pa gjetur një marrëveshje për borxhet e këtij vendi.

Tregjet ishin sidoqoftë të gjallëruara me shpresën se një marrëveshje do të arrihej në kohën e duhur për qëndrimin e Greqisë brenda programit të monedhës euro.

Pas takimit urgjent të 19 ministrave të financave të eurozonës në Bruksel, palët nuk arritën as të qarkullonin një deklaratë të përbashkët për shtyp, gjë që tregon se do të bëjnë tërheqje për të arritur një gjuhë të përbashkët në takimin pasues të javës tjetër.

Kryeministri i ri i Greqisë, Aleksis Tsipras, duke marrë pjesë në takimin e të parë të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, pranoi se zgjidhja do të gjendet bazuar mbi lëshime që do të bëhen nga të dyja palët.

“Do të na duhet të gjejmë një zgjidhje që respekton pozicionet e të gjitha palëve, dhe që kjo marrëveshje të bazohet mbi vlerat themeltare të Evropës, demokracisë dhe vullnetit të votuesve, por edhe tek domosdoshmëria për të respektuar rregullat evropiane”, u shpreh kryeminstri grek.

Bisedimet kanë ngecur dhe një grupim vendesh të kryesuara nga Gjermania insistojnë se diskutimet mund të vazhdohen vetëm nëse programi ekzistues për shpëtimin e Greqisë do të vazhdohet.

Kryeministri Tsipras kërkon që ky program, që skadon në fund të këtij muaji, të rrëzohet dhe të zëvendësohet nga një program i ri.

Megjithë këto zhvillime, shitblerja e aksioneve në Athinë u rrit me 3% pasi investuesit grekë e perceptuan mungesën e progresit në bisedime si në favorin e tyre.

Drejtori për analizën dhe kërkimet në “Merit Securities”, Nick Kafkas, u shpreh se investuesit mendojnë se Greqisë i duhet dhënë edhe më shumë kohë.

“Mendoj se ekzistenca e këtij programi është pengesa më e madhe për negociatat pasi të dyja palët kanë argumenta të forta dhe mbetet vetëm të merret vesh se kush do të duket si fitimtar nga ky raund i parë negociatash, pasi është e mundshme që ato të vazhdojnë.

Megjithë këtë ngecje të bisedimeve, analistët mendojnë se Greqia mund të bjerë dakort për zgjatjen e programit, nëse masat e detyrueshme buxhetore do të lehtësohen dhe Greqia të mundet të kryejë reforma të tjera.

Kryeministri i Greqisë, Tsipras, u shpreh se qeveria e tij ka vullnetin të ndërmarrë reforma të mëtejshme strukturore “kundër evasionit të taksave, të luftojë korrupsionin, dhe shtetin e ndërtuar mbi klientelizmin”.

Nga Frankfurti, analisti Fidel Helmer, tha se tregjet ndërkombëtare ka kohë që e konsiderojnë si faktor të rëndësishëm një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona.

“Është mbiquajtur Grexit, pra dalja e Greqisë nga Euro, dhe mbetet shpresa se tregjet nuk do të goditen shumë rëndë nëse kjo ndodh. Sidoqoftë ne të gjithë shpresojmë tek negociatat që do të vazhdojnë.”

Të gjithë janë ende duke vëzhguar zhvillimet dhe shpresojnë për një përfundim me sukses të negociatave të hënën e ardhshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG