Lidhje

Greqi: Emigrantët e ndjejnë veten të rrezikuar


Greqi: Emigrantët e ndjejnë veten të rrezikuar
Greqi: Emigrantët e ndjejnë veten të rrezikuar

Ndërkohë që ekonomia greke përpëlitet në prag të falimentimit, një pjesë e zemërimit po drejtohet ndaj dhjetëra mijëra emigrantëve që jetojnë në kryeqytetin, Athinë. Shumë grekë ua hedhin atyre fajin për nivelet e krimit në rritje dhe të papunësisë. Grupet e emigrantëve thonë se autoritetet shpesh lënë në heshtje majde i inkurajojnë sulme raciste kundër tyre. Siç njofton korrespondenti ynë, Henry Ridgwell nga Athina, vrasja e një qytetari grek nga një person i panjohur ka shkaktuar një valë dhune kundër emigrantëve në të gjithë kryeqytetin.

Emigrantët afganë Hafeez, Muhamedi dhe Sahil janë duke mësuar gjuhën angleze në një shkollë mbrëmjeje të Athinës. Ashtu si qindra të huaj të tjerë që jetojnë në Greqi, Hafeez ishte kohët e fundit në shënjestër të turmave anti-emigrante në rrugët e Athinës. Në syrin e tij të djathtë ende duken plagët.

"Isha duke u kthyer në shtëpi nga puna. Kur po ecja në rrugë, shikoj 6 ose 7 njerëz që vijnë përballë meje. Më panë dhe nuk folën fare pastaj papritur filluan të më rrahin. Nuk flisnin fare por më qëllonin në fytyrë, në anën e pasme të kokës dhe në të gjithë trupin".

Greqia është shumë pranë falimentimit. Përballë papunësisë në rritje dhe masave të rrepta shtrënguese, në shoqërinë greke po zjen një valë zemërimi. Të huajt janë mes viktimave të këtij zemërimi. Kjo demonstratë kundër emigrantëve në fillim të këtij viti në Athinë ishte njëra prej shumë të tillave që u shndërruan në dhunë.

Megjithatë, fluksi i emigrantëve që hyjnë në Greqi nuk ka të ndalur. Deri në 300 njerëz në ditë të përpiqen të kalojnë lumin Evros që ndan Greqinë dhe Turqinë - për të hyrë në Bashkimin Evropian. Qendrat e paraburgimit janë plot e përplot, prandaj shumica e të ardhurve lirohen pas disa ditësh.

Nasim Lomani, i cili është vetë emigrant afgan, ka ngritur një organizatë në mbështetje të emigrantëve.

"Ata nuk mund të gjejnë punë, nuk mund të aplikojnë për azil, ata janë pa dokumente, kështu që jetojnë në rrugë. Për të gjitha problemet e grekëve, fajin e kanë emigrantëve dhe janë ata që paguajnë. Kjo është gjendja reale në Greqi".

Greqia thotë se pjesa tjetër e Evropës duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar atë të përballojë fluksin e të ardhurve. Shumë grekë, si Nicholaos Sofos, thonë se vendi nuk mund të pranojë më emigrantë.

"Grekët po kalojnë kohë jo të mira. Ata paguajnë taksa, kanë shumë shpenzime. Cilësia e jetës këtu në Greqi ka rënë. Njerëzit që vijnë nga këto vende, nga Pakistani, Afganistani, Bangladeshi, janë aq shumë saqë askush nuk mund ta kontrollojë më situatën".

Sulmet janë intensifikuar pas vrasjes së një shtetasi grek në Athinë në fillim të majit, nga një person i panjohur. Një ditë më pas, bandat e krahut të djathtë filluan sulmet ndaj emigrantëve - të cilët ata i mbajnë përgjegjës për krimin në rritje dhe papunësinë.

"Një djalë nga Bangladeshi u vra pak ditë më parë në qendër të Athinës. Më shumë se 50 veta janë plagosur. Nga këta 50 persona, rreth 30 qëndruan në spital disa ditë. Gjatë natës ata sulmuan shtëpitë e emigrantëve, thyen dyert dhe dritaret, hynë brenda dhe rrahën njerëzit, madje hodhën bomba molotov në shtëpitë e emigrantëve".

Zoti Loman akuzon policinë për arrestimin e emigrantëve, ndërsa bën një sy qorr ndaj dhunës që vjen nga bandat e djathta. Hafeez dhe miqtë e tij janë në mesin e 50.000 emigrantët që presin përgjigjen e aplikimeve të tyre për azil. Ai ka 5 vjet që është në pritje.

"Ne nuk jemi të sigurt, jemi në rrezik. U larguam nga Afganistani për të shpëtuar jetën, për të jetuar të sigurt, por tani shohim se këtu nuk jemi aspak të sigurt, përkundrazi jemi në rrezik dhe mund të vdesin".

Ndërkohë që qeveria greke përpiqet të bëjë shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve, emigrantët janë të shqetësuar se atmosfera armiqësore mund të bëhet edhe më e rrezikshme në muajt e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG