Lidhje

Hahn: Greqia të heqë pengesat për investitorët


Komisioneri Evropian për Zhvillimin Rajonal thotë se burokracitë në nivele të ndryshme të qeverisë kanë shkurajuar shumë investitorë

Greqia ende përballet me vështirësi për të përmbushur disa prej kushteve që i janë vënë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në këmbim të paketës së dytë të ndihmave që iu miratua para disa muajsh. Qeveria e re e koalicionit po përpiqet të rinegociojë kushtet e paketës së fundit të shpëtimit, por FMN-ja tha se është herët për një gjë të tillë, ndërkohë që një zyrtar i lartë për zhvillimin rajonal shprehu besimin se Athina do të jetë në gjendje të zbatojë projektet e BE-së.

Komisioneri Evropian për Zhvillimin Rajonal, Johannes Hahn tha sot se ishte i bindur që qeveria e re e Greqisë do të zbatojë projektet e Bashkimit Evropian për strukturimin e fondeve dhe se ekziston interesim për investime në Greqi, në se do të kapërceheshim pengesat organizuese.

"Jam i bindur se tani pas një periudhe të gjatë zgjedhjesh dhe pas disa ndërprerjesh në zbatimin e këtyre projekteve, ne mund të shpalosim të gjitha marrëveshjet tona dhe planet e domosdoshme që duhen zbatuar. Ajo që na nevojitet për Greqinë është një klimë miqësore investimesh për të tërhequr edhe kompanitë jashtë vendit që të investojnë", tha zoti Hahn në një conferencë shtypi gjatë vizitës në Athinë.

Fondet strukturore të Bashkimit Evropian janë aktualisht një prej burimeve të pakta për financimin e zhvillimit në Greqi. Athina dhe zyrtarë të BE-së po përqëndrohen në rreth 180 projekte zhvillimi baraz me rreth 11 miliardë euro, të cilat do të luftojnë papunësinë nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës.

Komisioneri Hahn tha se më shumë se 15 projekte janë zbatuar dhe më shumë se 100 të tjera po vazhdojnë sipas planit, një shkallë absorbimi kjo më e mirë se sa mesatarja evropiane.

Burokracitë dhe mungesa e organizimit në nivele të ndryshme të qeverisë, tha zoti Hahn, kanë shkurajuar shumë investitorë.

Greqia dëshiron të ndryshojë disa reforma, për të cilat thotë se dëmtojnë ekonominë, por zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Fondit Monetar ndërkombëtar kanë thënë se po nuk panë përparim në disa aspekte të tjera ata do të hezitonin të hynin në bisedime për ndryshime.

I pyetur nëse BE-ja dhe FMN-ja do të jenë të gatshme për ndryshime zoti Hahn tha:

"Ne gjithnjë kemi treguar jo vetëm fleksibilitet, por edhe gadishmëri për të diskutuar, megjithatë nuk ka asnjë dyshim se në objektivat dhe marrëveshjet përfundimtare ne nuk mund të ndryshojmë asgjë".

Një grup pune i Komisionit Evropian e ka ndihmuar Greqinë në zbatimin më të shpejtë të reformave ekonomike, që ajo ka pranuar si kusht për të marrë ndihma emergjente nga partnerët evropianë dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG