Lidhje

Qeveria e re greke përpiqet të bindë kredidhënësit skeptikë


Ministri i ri i Financave, Janis Stournaras mori sot pjesë në takimin e tij të parë me inspektorët ndërkombëtarë të borxhit

Qeveria e re greke do të përpiqet të bindë kredidhënësit skeptikë për të lehtësuar reformat ekonomike që lidhen me paketat e shpëtimit financiar. Athina tani për tani i ka shpëtuar falimentimit falë këtyre paketave por me një kosto të lartë, sepse vendi është zhytur gjithnjë e më thellë në recesion. Inspektorët ndërkombëtarë të borxhit ndodhen aktualisht në Greqi, për herë të parë pas zgjedhjeve. Sot ata u takuan me kryeministrin Antonis Samaras dhe me ministrin e ri të financave.

Ministri i ri i Financave i Greqisë Janis Stournaras mori sot pjesë në takimin e tij të parë me inspektorët ndërkombëtarë të borxhit, menjëherë pasi bëri betimin në një ceremoni në Pallatin Presidencial.

Zoti Stournaras, ekonomist i njohur, u takua me zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane, Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të njohur edhe si trojka.

Ai u emërua në këtë post javën e kaluar, pasi Ministri i Financave i caktuar fillimisht hoqi dorë nga detyra për arsye shëndetësore.

Vizita e inspektorëve vjen pas disa muajsh mungese për shkak të trazirave politike në Greqi, të shkaktuara nga kriza financiare.

Kriza ka bërë që vendi të mbështetet në borxhe ndërkombëtare me vlerë miliarda dollarë nga vende të tjera evropiane që përdorin euron si monedhën e tyre, dhe nga FMN-ja.

Për të siguruar këto fonde Greqia vendosi masa të rrepta shtrënguese, por është ende duke u përpjekur të përmbushë objektivat fiskale të përcaktuara në marrëveshjet e kredive të shpëtimit.

Qeveria e re e koalicionit do të kërkojë të bindë inspektorët e borxhit të lehtësojnë disa nga kushtet e marrëveshjes së kreditimit.

Por nëse kushtet për dy kreditë e shpëtimit të Greqisë, me një vlerë të përbashkët prej 300 miliardë dollarësh, mund të ndryshohen apo jo, kjo do të varet nga mënyra se si do të priten propozimet e Athinës nga kreditorët e saj.

Gjermania, kontribuesi më i madh në këto fonde, ka thënë vazhdimisht se Athina duhet t’i përmbahet angazhimeve të saj. Vende të tjera evropiane kanë shprehur gjithashtu shqetësime serioze në lidhje me Greqinë.

XS
SM
MD
LG