Lidhje

Greqi, greva e përgjithshme kthehet në dhunë, paralizon transportin


Greqi, greva e përgjithshme kthehet në dhunë, paralizon transportin
Greqi, greva e përgjithshme kthehet në dhunë, paralizon transportin

Në Greqi, një grevë e përgjithshme shkaktoi çrregullime të mëdha në shërbimet publike si dhe paralizoi transportin ajror dhe rrugor të vendit. Në Athinë, policia përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve në sheshin qendror të kryeqytetit.

Dita e sotme shënoi shkallëzimin e protestave kundër masave shtrënguese të qeverisë. Protestuesit hodhën shishe me benzinë në dy hotele luksoze në sheshin Sintagma përballë parlamentit, ndërkohë që policia u përgjigj me gaz lotsjellës.

Pak orë para kësaj, parlamenti miratoi reforma dhe shkurtime shpenzimesh si kusht për ndihmën financiare prej 110 miliard eurosh dhënë Greqisë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për ta nxjerrë vendin nga kriza e borxhit.

Greva e kontrollorëve të trafikut ajror në të gjithë vendin shkaktoi anulimin e fluturimeve në aeroportin e Athinës dhe në aeroportet më të vegjël. Anijet mbetën të ankoruara në porte, spitalet punuan me personel të shkurtuar ndërsa ministritë u mbyllën.

Në grevë u hodhën edhe gazetarët prandaj televizioni dhe radioja nuk transmetuan lajme.

"Grevat që po bëhen vetëm sa e rrisin barrën tonë megjithatë njerëzit nuk kanë faj. Çfarë do të bëjnë të papunët,” thotë ky banor i Athinës.

Greva u zhvillua pas miratimit nga parlamenti të një projektligji, i cili do të ulë nivelin e pagave në sektorin shtetëror dhe kjo pas shkurtimit të përfitimeve. Ligji lejon gjithashtu ndryshime në marrëveshjet kolektive të punës në sektorin privat.

Sindikatat e këtij sektori thonë se ligji i ri do t’ua bëjë më të lehtë pronarëve të heqin nga puna njerëz dhe të shkurtojnë pagat e punonjësve.

XS
SM
MD
LG