Lidhje

Shefi i diplomacisë greke në Shkup

  • Isak Ramadani

Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias shkoi sot për vizitë në Shkup; takime këto të rralla midis autoriteteve shtetërore të dy vendeve fqinje. Megjithëse nuk janë dhënë hollësi për atë që është folur mbi problemin e emrit të Maqedonisë, ministri grek dhe homologu i tij maqedonas, Poposki kanë lënë të kuptohet se po i hapin rrugën ndërtimit të masave të mirëbesimit mdis dy vendeve që do të thellonin bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera.

Ministri i jashtëm grek Nikos Koxias e viziton për herë të dytë Shkupin brenda një viti. Megjithëse, midis dy vendeve fqinje është çështja e emrit të Maqedonisë ajo që ka mbajtur të bllokuar përparimin drejt integrimeve euro-atlantike të Shkupit dhe ka rezultuar në raporte tejet të ftohta me Athinën, ministrat e jashtëm Koxias dhe Poposki thanë se nuk kishin këtë për temë bosht të takimit. Ata kanë diskutuar për çështjen e emrit, por pa sqaruar hollësi për median.

Dy ministrat kanë folur për thellimin e besimit të ndërsjellë, përkatësisht për gjetjen e masave të mirëbesimit që do të relaksonin marrëdhëniet midis dy vendeve.

Është biseduar edhe për bashkëpunimin e dyanshëm në fushën e ekonomisë dhe të arsimit.

Ministri grek Nikos Koxias tha se angazhohet për kompromise të mira dhe jo të këqija; “kompromise që do në na çlironin nga kthetrat e historisë, të cilën nuk po mund ta ndryshojmë. Dallimet duhet t’i zgjidhim në mënyrë paqësore, që të mos ketë imponime të njërit ndaj tjetrit," tha shefi i diplomacisë greke.

Ndërkaq, homologu i tij maqedonas Nikolla Poposki tha se duhet të ndërtohen masa të mirëbesimit që të mund të diskutohet për çështje të tjera më pas.

“Ka një realitet tjetër mbi të cilin mund të ndikohet”, tha ministri maqedonas, duke theskuar nevojën për krijimin e një klime për masat e mirëbesimit dhe bashkëpunimin dypalësh.

Autoritetet në Shkup shpresojnë se këto masa të besimit do të krijonin hapsirë për çeljen e rrugës së Maqedonisë drejt integrimit në Nato dhe në BE.

Ndërkohë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri Koxias tha se vizita e tij nuk ka të bëjë me mbështetjen për asnjë prej partive politike në Shkup në këtë kohë krize politike të brendshme, para zgjedhjeve të pritshme parlamentare. Ai tha se kjo krizë nuk duhet të ushqehet dhe aq më pak nga jashtë.

Ministri grek u prit edhe nga autoritetet më të larta shtetërore në Shkup, me të cilët ka folur edhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të Ballkanit, përfshirë krizën e refugjatëve dhe emigrantëve nga Lindja e Mesme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG