Lidhje

Rekord i ri i papunësisë në Greqi


Sipas ELSTAT, papunësia në Greqi arriti rekordin prej 27,6 % në muajin qershor

Shkalla e papunësisë në Greqi arriti një rekord të ri prej 27,9 për qind në muajin qershor. Këto të dhëna u publikuan sot nga shërbimi grek i statistikave ELSTAT, ndërkohë që tregu i punës vazhdon të jetë në krizë nën politikat shtrënguese të vendosura për fondet ndërkombëtare të shpëtimit.

Papunësia në Greqi është dy herë më e lartë se norma mesatare e eurozonës prej 12 për qind. Ajo është trefishuar që nga viti 2008, kur nisi recesioni dhe kur kriza e borxhit të vendit ishte fare pranë.

Në valën e saj të fundit të reformave qeveria pritet të shkarkojë rreth 15 mijë punonjës të sektorit publik deri në vitin 2014. Gjithashtu 25 mijë të tjerë pritet të transferohen në vende pune të ndryshme nga ato që kanë.

Nikoletta Argiogitis, një mësuese anglishteje 29 –vjeçare, thotë se ka qenë e papunë prej tre muajsh dhe se është ende duke u përpjekur të marrë përfitimet e papunësisë.

“Për fat të keq ajo që unë shoh është se gjërat janë duke u përkeqësuar. Gjithmonë e më shumë njerëz janë duke humbur vendet e punës. Pagat janë duke u pakësuar. Nuk e di se ku do të përfundojmë.”

Papunësia rekord është shqetësim kryesor për qeverinë e koalicionit dypartiak të Greqisë, ndërsa përpiqet të arrijë objektivat fiskale dhe të kryejë reformat strukturore të kërkuara nga kreditorët e saj ndërkombëtarë.

Të prekurit nga vendimet e fundit për reforma përfshijnë punëtorët e sektorit të shëndetit, të cilët për shkak të shqetësimeve për vendet e punës protestuan sot pranë Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kishin ndërprerë punën për katër orë.

“Jam i shqetësuar për të ardhmen. Në fakt mendoj se mund të më duhet të largohem nga Greqia. Kam shkuar jashtë vendit edhe më parë për të kryer studimet për master. Por pastaj vendosa të kthehem për të filluar punë. Tani duket se gjasat janë që të kthehem sërish në Berlin, ku isha më parë,” thotë një protestues.

Një grevë kombëtare e punonjësve të sektorit publik është planifikuar për javën e ardhshme.

Ekonomia greke është në vitin e gjashtë radhazi të recesionit, por kryeministri grek Antonis Samaras tha këtë javë se ai pritet që recesioni këtë vit të jetë më i lehtë se parashikimet dhe se Greqia është drejt arritjes së një suficit buxhetor në vitin 2013. Zoti Samaras tha se ai do të përpiqet të lehtësojë barrën mbi më të rrezikuarit në qoftë se vendi arrin një tepricë në buxhet.

XS
SM
MD
LG