Lidhje

Reagime pas vrasjes në Greqi


Në Greqi nisën protesta pas vrasjes së një aktivisti anti-racizmit nga një person që tha se i përkiste Agimit të Artë

Në Greqi nisën mbrëmë protesta pas vrasjes së një këngëtari të njohur dhe si aktivist anti-fashist nga një person që tha se i përkiste partisë së Agimit të Artë. Duke reaguar sot ndaj vrasjes, kryeministri grek Samaras tha se qeveria e tij ishte e vendosur të mos lejonte përhapjen e veprimeve të tilla. Këngëtari i Hip-Hopit Pavlos Fyssas u godit me thikë për vdekje mëngjesin e së mërkurës.


Kryeministri grek Antonis Samaras, në një fjalim televiziv drejtuar kombit, bëri sot thirrje për qetësi gjatë asaj që ai tha se ishte një "kohë jashtëzakonisht kritike" për Greqinë.


"Kjo qeveri është e vendosur të mos lejojë që pasardhësit e nazistëve të helmojnë shoqërinë, të kryejnë krime, të terrorizojnë njerëzit dhe të minojnë themelet e vendit që krijoi demokracinë," tha zoti Samaras.


Njerëzit i bën sot homazhe muzikantit që përshkruhej dhe si një aktivist anti-fashist, i cili u godit me thikë për vdekje nga një person që tha se i përkiste partisë së ekstremit të djathtë Agimi i Artë. Në vendin ku ndodhi vrasja u vendosën lule, qirinj dhe letra me mesazhe.


Vdekja e Pavlos Fyssas, 34-vjeçar, u dënua nga i gjithë spektri politik në Greqi dhe nga jashtë vendit.


Ndërsa Agimi i Artë është fajësuar për sulme të shumta të dhunshme në të kaluarën, kjo vrasje me thikë gjatë natës është deri tani incidenti më i rëndë i lidhur drejtpërdrejt me një anëtar të partisë ektremiste.


Pavlos Fyssas, një këngëtar hip-hopi i njohur si Killah-P, vdiq në një spital mëngjesin e së mërkurës, pasi u godit dy herë me thikë jashtë një kafeneje në zonën Keratsini, në perëndim të Athinës. Policia tha se një 45-vjeçar i arrestuar në vendngjarje pranoi të kishte sulmuar viktimën, duke thënë se i përkiste Agimit të Artë.

Ja si u shpreh për ngjarjen kryetari i pushtetit lokal të zonës, Loukas Tzanis.


"Keratsini dhe Drapetsona janë lagje të qeta të cilat ishin lagje punëtorësh, por që për shkak të krizës janë kthyer në lagje të njerëzve të papunë. Banorët këtu përpiqen të zgjidhin problemet ditore të mbijetesës nëpërmjet solidaritetit dhe kjo është mënyra sesi të gjithë qytetarët e zonës sonë përballen me varfërinë. Prandaj, kjo dukuri e dhunës, dhe më konkretisht dukuria e dhunës politike, nuk ka vend mes këtyre njerëzve që përpiqen të mbijetojnë dhe të ushqejnë veten dhe familjet e tyre."


Udhëheqësi i Agimit të Artë Nicholas Mikaloliakos tha se partia e tij nuk kishte të bënte me sulmin.

Mbrëmë shpërthyen përleshje mes forcave të policisë dhe mijëra protestuesve që hidhnin parulla antifashiste në kujtim të Pavlos Fyssas në Keratsini dhe në pesë qytete të tjera të Greqisë, duke përfshirë qytete kryesore si Selaniku, Patrasi dhe Kreta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG